Transmetuar më 13-08-2021, 21:31

Nga kjo e premte nuk do t’i shihni më në treg, por nëse në markete ka ende të tilla mos i blini. Produkte akullore Mars, Baundi, Snikers dhe Twix rezultojnë me përmbajtje kancerogjene.

Alarmi është dhënë nga Bashkimi Evropian për akulloret e kompanisë “Mars”.

Pas sinjalizimit nga BE dhe aksioneve në disa shtete edhe në Shqipëri ka nisur asgjësimi i tyre nga marketet e vendit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka sekuestruar sasi akulloresh të kësaj kompanie.

Sipas AKU, këto prodhime kanë hyrë në Shqipëri në periudhën mars-maj 2021, para se BE të jepte alarmin.

AKU tha se vetëm sot ka kryer 129 kontrolle zyrtare dhe monitorime në të gjithë vendin në operatorët e biznesit ushqimor të kategorive të ndryshme. Drejtoritë Rajonale të AKU- së kanë dhënë 25 masa administrative me paralajmërim dhe 1 gjobë për aktivitet jo në përputhshmëri me kornizën ligjore dhe rregullatore të sigurisë ushqimore.

Gjithashtu në vijim të njoftimit të ardhur nga sistemi Informimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë i BE për përmbajtje oksid etileni, substance e paautorizuar në stabilizues lygom të përdorur për prodhimin e akullores, AKU në bashkëpunim me OBU-të të cilët kanë importuar, shpërndarë dhe tregtuar produktet në fjalë, mbi bazën e sistemit të gjurmueshmërisë, inspektimeve fizike tek subjektet importuese dhe tregtuese, është bërë e mundur tërheqja nga tregu e këtyre produkteve, sipas specifikimeve teknike (Nr. Loti, datë skadence dhe sasi) të evidentuara nga sistemi RASFF.

Llojet e akulloreve të evidentuara me problematikë dhe të bllokuara nga AKU, duke filluar që nga marrja e njoftimit datë 31.07.2021 janë: BTY XTRA Ice Bar; BTY Ice Bar; TWIX Ice Bar; TWIX XTRA; SNK XTRA Ice Bar; SNK Ice Bar, për të cilat do të vijohet me procesin e asgjësimit.

Mediat e huaja thonë se në akulloret e kompanisë “Mars” është konstatuar nivel i lartë oksid etileni, një substancë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Më 13 korrik, shtetet anëtare të BE ranë dakord që të gjitha ushqimet e kontaminuara me këtë substancë duhet të tërhiqen nga tregu.

Rreziku nga prodhimet e “Mars” është vetëm maja e ajsbergut pasi rezulton se oksidi e etilenit përdoret edhe në shumë produkte të tjera që gjenden gjerësisht në treg si akullore, reçel e produkte të pjekura.

Përditësim, 16 Gusht 2021

Kompania Mars Wrigley flet mbi produktet e hequra nga tregu

Kompania Mars Wrigley reagoi pasditen e të hënës në një njoftim zyrtar pas publikimeve në media në lidhje me tërheqjen nga tregu të akulloreve të saj. Ajo thotë se "konsumi i akulloreve të markës Mars Wrigley nuk është i dëmshëm" dhe shton:

"Akulloret e markës Mars Wrigley që preken janë vetëm ato të listuara në tabelën më poshtë. Asnjë prej markave, produkteve, kodeve të serive, ose datave të skadencës të tjera të Mars Wrigley nuk janë prekur. Çokollatat e markës Mars Wrigley nuk janë prekur. Gjithashtu, duhet te theksojmë se akullorja e markës M & Ms nuk shitet fare në tregun shqiptar".

Në vijim Mars Wrigley pranon se "ka tërhequr akulloret e prekura të markës Mars Wrigley në tregun shqiptar më 5 gusht 2021 dhe ato nuk janë në raftet e marketeve", duke pohuar se "shpërndarësit tanë kanë qenë dhe janë duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse të sigurisë ushqimore dhe klientët tanë me pakicë për të siguruar që konsumatorët të jenë në dijeni të tërheqjes nga tregu".

Kompania thotë se "tërheqja nga tregu u bë për shkak të pranisë së oksidit të etilenit në një përbërës të prodhuar nga një prej furnizuesve tanë, në nivele që janë më të larta se sa lejohen nga ligji i BE-së. Kjo është një çështje që prek Mars Wrigley, si dhe prodhuesit e tjerë".

Edhe pse niveli i ETO (oksidit të etilenit) në përbërësin e prekur është mbi kufijtë ligjorë për përbërësin në Evropë, kompania shton se "ne përdorim vetëm një sasi të vogël të këtij përbërësi në akulloret që prodhojmë. Si pasojë, niveli i ETO (oksidit të etilenit) në akulloret tona është minimal dhe shumë poshtë kufijve ligjorë në Evropë për përbërësin. Konsumimi i produkteve nuk është i dëmshëm".

Foto arkiv, ilustruese

Alarmi nga AKU: Gaz kancerogjen në akulloret e firmave të njohura në Shqipëri