Transmetuar më 16-08-2021, 15:43

Cilat janë simptomat kryesore të deltës dhe pse është kaq ngjitëse?

Varianti shumë ngjitës "Delta" i SARS-CoV-2, i njohur gjithashtu si varianti indian, apo B1617.2, u identifikuar për herë të parë në Indi në Tetor 2020, dhe tani është lloji më dominues në Shqipëri, rajon, Evropë, SHBA dhe shumë vende të tjera.

Në Klinikën Terapeutike të Shkollës Mjekësore të Universitetit Kombëtar të Athinës, një ekip profesorësh dhe mjekësh, Teodora Psaltopoulou, Giannis Danasis, Panos Malandrakis dhe rektori Thanos Dimopoulos, përmbledhin të dhënat bazë më të rëndësishme për mutacionin e ri "Delta" të SARS-CoV-2, raporton noa.al.

Informacioni bazë në lidhje me mutacionin "Delta"

Transmetohet shpejt. Sipas të dhënave të fundit (4 gusht 2021), varianti "delta" ka arritur në më shumë se 130 vende të botës. Ai tashmë ka tejkaluar variantin "alfa" pra ai anglez, në numrin e rasteve të COVID-19 në shumë prej këtyre vendeve, përfshirë SHBA. Varianti besohet të jetë 55% deri 90% më ngjitës se variantet e mëparshme të SARS-CoV-2.

Studiuesit ende nuk janë plotësisht të sigurt pse varianti delta është shumë më ngjitës se të tjerët. Ata besojnë se ndryshimet në proteinën e variantit delta mund të lehtësojnë hyrjen e virusit në qelizat e njeriut.

Një studim tjetër evidenton se një mutacion në variantin delta mund të ndihmojë që virusi të kombinohet më mirë me qelizat njerëzore sapo të depërtojë në to1. Në këtë mënyrë, virusi është në gjendje të infektojë më shumë qeliza dhe të shpëtojë nga veprimi i sistemit imunitar.

Mutacioni duket se prek më shpesh të rinjtë. Në Mbretërinë e Bashkuar, studimet kanë treguar se fëmijët dhe të rriturit nën moshën 50 vjeç kanë 2.5 herë më shumë gjasa të infektohen me llojin e deltës SARS-CoV-2.

Simptomat kryesore të mutacionit "Delta"

Simptomat duket se janë më intensive dhe shfaqen më shpejt. Njerëzit mund të kenë më shumë gjasa të përfundojnë në spital nëse kanë variantin "delta".

Studimet sugjerojnë se një person që infektohet me delta mund të ketë dy herë më shumë gjasa të shtrohet në spital sesa ata që infektohen me variantin alfa që mendohet se është në zhdukje e sipër.

Simptomat kryesore të pacientëve me llojin "delta" të SARS-CoV-2 përfshijnë:

-Dhimbje koke

– Dhimbje të fytit

-Rrufë

-Temperaturë

Kollitja raportohet më rrallë dhe humbja e shijes dhe nuhatjes nuk përfshihen më në 10 simptomat kryesore më të zakonshme.

Studiuesit janë të shqetësuar se individët mund t’i ngatërrojnë simptomat me një ftohje të zakonshme dhe të shmangin karantinën dhe pa e ditur, mund të nxisin përhapjen e deltës.

Si të mbrohemi

Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese. Sipas të dhënave të disponueshme, dy dozat e vaksinës Pfizer-BioNTech sigurojnë 79% mbrojtje kundër infeksionit me variantin "delta" të SARS-CoV-2. Kjo do të thotë se në 100 njerëz të vaksinuar, 79 nuk infektohen dhe 21 të tjerët po.

Po ashtu thuhet se ndër 100 njerëz të vaksinuar me të dyja dozat e Pfizer-BioNTech, 96 nuk bëhen për spital dhe katër të tjerët, po.

Ndërsa dy doza të vaksinës AstraZeneca janë 92% efektive në parandalimin e shtrimit në spital për shkak të infeksionit të llojit delta. /noa.al