Transmetuar më 29-08-2021, 10:37

Në Kosovë, qeveria e kryeministrit Albin Kurti mori vendimin që nga data 30 gusht deri më 13 shtator 2021, të ndalohet hyrja e lirë e njerëzve nëse nuk provojnë se janë vaksinuar apo testuar për koronavirusin e ri Sars-Cov-2.

Sipas vendimit që citon noa.al, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

Ose: Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Ose: Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Ose test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë e mësipërme, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë e mësipërme, përjashtohen personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lërë Kosovën brenda tre (3) orësh.

Po ashtu përjashtohen personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID- 19.

Përjashtohen dhe shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit si dhet gjithë personat nën 18 vjeç.