Transmetuar më 30-08-2021, 11:53

Një fabrikë kanabisi e aftë për të prodhuar rreth 1.5 milionë euro drogë, u zbulua në një ndërtesë të shkollës së vjetër në Lumb Lane, Britani e Madhe, u bë e ditur në procesin që po zhvillohet tek Gjykata në Bradford.

Policia shkatërroi drogën që po kultivohej në objekt, ndërsa tre persona që kujdeseshin për të u larguan nga vendi i ngjarjes, citon noa.al, të përditshëm britanike Telegraph.

Një oficer policie që kishte zënë pritë pranë Carlisle Road, Manningham, ndoqi dhe kapi të riun Jetnor Cuka, një shtetas shqiptar i cili qëndronte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Atij iu dha një dënim me kusht me burg pasi gjykatësi Neil Davey dëgjoi se si ishte mashtruar nga trafikantët që i premtuan të punonte në industrinë e ndërtimit.

Jetnor Cuka u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit dhe qau në një seancë me lidhje video, pasi avokati i tij, Michael Blakey, shpjegoi se i riu kishte dashur të fitonte një jetesë të ndershme për t’i dërguar para prindërve të tij të moshuar dhe të sëmurë në Shqipëri.

Prokurori Mehran Nassiri tha se një pjesë e katit përdhes në ndërtesën e shkollës së vjetër ishte shndërruar në strehë banimi, me tre shtretër dhe një zonë kuzhine.

Kishte gjithsej 1,310 bimë kanabis në ambientet e objektit, përfshirë dhe në papafingo.

696 bimët e gjetura kishin një vlerë të mundshme në tregun e zi prej 626,000 paund, ndërsa prodhimi i mëvonshëm vlente më shumë se 500,000 të tjera. Në total vlera e drogës së kultivuar arrinte në afro 1.5 milionë euro.

Cuka, 48 vjeç, i tha policisë se ai kishte jetuar në këtë objekt për dy muaj dhe nuk kishte marrë asnjë pagesë për kultivimin e drogës që shihni në galeri.

Avokati i tij Blakey tha se Cuka ishte transferuar nga Shqipëria në Greqi për të punuar, me qëllimin për të mbështetur prindërit e tij të moshuar dhe ishte futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor 2020.

Trafikantët që i mundësuan atij futjen në Angli, i thanë se tani u detyrohej 22,000 paund për udhëtimin dhe duhej të punonte në fabrikën e kanabisit për ta shlyer këtë borxh.

Avokati Blakey tha se kushtet e jetesës në shkollën e braktisur ishin mizerabël dhe gjendja e Cukës ishte shumë afër një skllavërie moderne. Arrestimi ishte si një shpëtim për emigrantin shqiptar, – shtoi ai.

Gjykatësi Davey tha se ishte e dukshme që Cuka ishte mashtruar nga trafikantët.

"Në fund, nuk kam dyshim se ju jeni një njeri i mirë, punëtor," tha ai.

"Nuk kam dyshim se të jetosh dhe të punosh si ti ishte gjëja e fundit që doje të bëje."

Cuka nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm dhe kishte bërë një jetë të qetë më parë.

Ai u burgos për 16 muaj me kusht lirimi brenda 12 muajve.

Ishte një dënim i vetëm, pa urdhra shtesë, por gjyqtari Davey i tha Cukës se i takon Zyrës së Brendshme se çfarë do të ndodhte me të, nëse do të ekstradohet ose jo. /noa.al