Transmetuar më 12-09-2021, 16:17

Rrëmuja nuk njeh moshë, por në atë të vogëlisë është ca më e theksuar. Çështja që shtrohet, shprehen ekspertët sociologë në universitetin kombëtar të Athinës, se sa prindërit arrijnë të sillen normalë, të durojnë sjelljen e fëmijëve dhe ta suportojnë atë, sigurisht edhe duke i edukuar njëkohësisht.

Por nëse do ta humbasin durimin, duke iu kthyet të vegjëlve me nerv dhe të bërtitura siç disa bëjnë, ata janë thjesht prindër larg të qenit të kujdesshëm ndaj një moshe në rritje, tejet delikate.

Nëse kthejmë sytë pas në kohë, do të kujtojmë turli lloj çapkënllëqesh që kemi bërë apo kemi parë. Disa nga ne kanë qenë trazovaçë, disa të tjerë, qullacë. Më së shumti ata që kanë qenë të urtë dhe të tërhequr, kanë pasur një historik dhune verbale dhe fizike në vitet e fëmijërisë.

Parë në këtë prizëm, duhet të kuptojmë se për një fëmijë, të qenit çapkën/e është një fazë disavjeçare që di të kalojë, do apo nuk do prindi.

Për më tepër, kjo është një fazë normale dhe e shëndetshme e përjetimit të jetës, përballjes me të rejat e saj, përvojat që ikin e vijnë dhe ballafaqimi i jetës virtuale me atë reale.

Këtu nis profesioni i prindit, që nuk është aspak i lehtë. A-ja e leksioneve që duhet të ngulitin prindërit është durimi.

Do të përballeni shumë shpesh me mosbindje, përsëritje pa fund të gabimeve dhe vështirësi në pranimin e tyre.

Për ta ndihmuar fëmijën tuaj të zbusë sjelljen çapkëne, mund të provoni strategjitë e mëposhtme:

Diskutoni

Diskutoni me fëmijën tuaj dhe pyeteni hapur arsyen e sjelljes së tij të rrëmujshme, pasi mund të dëshirojë të zbatojë kërkesën tuaj, por në një mënyrë tjetër.

Në të njëjtën kohë fëmija mund të reagojë sepse dëshiron t’ju tregojë mendimin e tij, por ju nuk e dëgjoni.

Prandaj, kur i jepni diçka që të merret, për shembull që të bëjë detyrat e shtëpisë, pyeteni se si ai synon ta organizojë këtë gjë. Në këtë mënyrë fëmija do të ndihet i sigurt, pasi pikëpamja e tij ka rëndësi dhe ai do të jetë më pranues për t’ju dëgjuar.

Vendosni rregulla të qarta

Vendosni rregulla krejtësisht të qarta dhe sigurohuni që fëmija të kuptojë saktësisht çfarë duhet të bëjë ose si të sillet. Në të njëjtën kohë jini të qartë kur i shpjegoni pasojat e veprimeve të tyre, si dhe çfarë do të ndodhë në rast se shkelin rregullat.

Nëse veprojnë, atëherë mos u tutni dhe mos harroni të aplikoni gjithçka që u keni thënë më parë, siç është për shembull, mosdhënia e celularit apo tabletit për pjesën tjetër të ditës. Në këtë mënyrë fëmija do të mësojë të mos i injorojë kërkesat tuaja dhe do ta ketë të qartë edhe më tepër se çdo veprim do të ketë pasoja.

Jepini hapësirë

Ashtu si ju, edhe fëmija ka disa ditë të këqija, ku mund të mos ndihet aq mirë dhe të ketë nevojë për hapësirë ​​dhe kohë. Flisni me të me një ton të qetë, por jini të qartë se çfarë duhet të bëjë. Kërkoni mendimin e tij dhe lëreni të shprehë ndjenjat që ka. Në këtë mënyrë, fëmija relaksohet dhe qëndron brenda kufijve.

Zgjidhni "betejat" tuaja

Kompromisi në disa raste nuk është domosdoshmërisht një ide e keqe. Nëse e shihni që fëmija insiston në diçka të vogël, si fjala vjen, mbajtja e mëngëve të shkurtra në një ditë jo aq verore, lëreni ta bëjë atë duke e inkurajuar të veshë edhe një triko.

Në këtë mënyrë ai do të ndiejë se mund të ushtrojë kontroll bazuar në zgjedhjet e tij, por më vonë, do t’ju jepet mundësia të insistoni në çështje më serioze që ai duhet t’i bëjë. /noa.al