Transmetuar më 14-09-2021, 15:38

Partia Socialiste është vënë nën alarm për rikthimin aktiv të Sali Berishës në kampin opozitar dhe paralajmëron se Partia Demokratike në vijim do të jetë radikale në veprimet dhe strategjitë e saj për rikthimin në pushtet.

Për të përballuar këtë revansh opozitar, siç po e quajnë socialistët, ka nisur sot turi i takimeve të drejtuesve politikë të qarqeve të Partisë Socialiste.

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, e nisi turin me Lezhën, ku u bë kalimi i stafetës së drejtimit të këtij qarku nga Lindita Nikolla tek Blendi Klosi.

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla pranoi se “ishin zgjedhje të vështira", duke shtuar se gjithsesi, "arritëm që të përmbushim objektivin që na ishte caktuar".

Nikolla megjithatë pranoi se çaloi puna dhe kërkoi që të merren masa për zgjedhjet e ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se mandati i tretë është i vështirë, sepse kërkon më shumë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe se duhet filluar përgatitja për zgjedhjet e ardhshme elektorale.

“Mandati i tretë është i vështirë, sherret e Partisë Demokratike apo problemet e tyre të brendshme, do ta bëjnë opozitën më radikale kundrejt qeverisë. Për zgjedhjet elektorale duhet të fillojme përgatitjet, sepse gara tashmë do të jetë dhe më e fortë", – paralajmëroi z.Gjiknuri. /noa.al