Transmetuar më 20-09-2021, 12:39

Serbët bllokojnë rrugën që lidh Kosovën me Serbinë në Jarinjë.

Forca të shtuara të Njësisë Speciale të Kosovës janë vendosur sot në pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit për targat.

Në pikën kufitare të Jarinjes, serbët janë grumbulluar dhe kanë bllokuar rrugën me kamionë.

Sipas një video të “KosovoOnline”, dëgjohet teksa një pjesëtar i Policisë së Kosovës i thotë serbëve që “protestën nuk ua ndalon askush, mirëpo rruga duhet të lirohet”.

Igor Simiq nga Lista Serbe i ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e provokimeve, siç pretendon, të Prishtinës.

"Ne i bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia", deklaroi Simiq.