Transmetuar më 23-09-2021, 22:46

Prodhuesit gjigantë si Samsung dhe Apple, por edhe gjithë kompanitë e tjera që shesin produktet e tyre në Evropë, do të detyrohen në vitin 2022 të krijojnë një zgjidhje universale të karikimit për telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike, sipas një rregulli të ri të shpallur nga Komisioni Evropian (KE).

Qëllimi është të zvogëlojë mbeturinat duke inkurajuar konsumatorët të ripërdorin ngarkuesit ekzistues kur blejnë një pajisje të re dhe të kursejnë edhe shpenzime të tepërta, raporton noa.al duke cituar Reuters.

Të gjithë telefonat inteligjentë të shitur në BE duhet të kenë ngarkues USB-C, thuhet në njoftimin e Brukselit.

Apple ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të dëmtonte novacionin dhe ka dalë kundër.

Gjiganti i teknologjisë është prodhuesi kryesor i telefonave inteligjentë duke përdorur një portë karikimi të personalizuar, pasi seria e tij iPhone përdor një lidhje "Lightning" të prodhuar nga Apple.

"Ne mbetemi të shqetësuar se rregullorja e rreptë që urdhëron vetëm një lloj karikuesi mbyt inovacionin në vend që ta inkurajojë atë. Ky rregull i ri, nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe në mbarë botën," tha Apple për BBC.

Shumica e telefonave Android vijnë me portë USB të karikimit mikro-B, disa, tashmë janë zhvendosur në standardin më modern USB-C.

Rregullat e reja që hyjnë në fuqi më 2022 në BE, shtrijnë efektet në të gjitha vendet e Unionit, por praktikisht dhe në Shqipëri dhe vende të tjera jashtë BE, pasi furnizuesit janë kryesisht shtetet evropiane.

Rregullat e reja do të zbatohen për:

telefonat inteligjentë

tableta

kamera

kufje

altoparlantë portativë

tastiera për lojëra video

Produkte të tjera duke përfshirë kufjet, orët inteligjente dhe gjurmuesit e fitnesit nuk u morën parasysh për arsye teknike të lidhura me madhësinë dhe kushtet e përdorimit.

Ndryshimi gjithashtu standardizon shpejtësinë e karikimit të shpejtë – do të thotë që pajisjet e afta për karikim të shpejtë do të ngarkohen me të njëjtën shpejtësi.

"Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e tyre, tani koha është e pjekur për veprime legjislative për një karikues unik. Kjo është një fitore e rëndësishme për konsumatorët dhe mjedisin, si dhe në përputhje me ambiciet tona të gjelbra dhe dixhitale", tha zëvendësPresidentja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager. /noa.al