Transmetuar më 24-09-2021, 12:30

Një gjykatë në Indi ka urdhëruar një sallon të paguajë 20 milion rupi (271,000 dollarë ose rreth 27 milionë lekë të rinj) për shkak të prerjes së gabuar të flokëve të një vajze, modele.

Vajza paditi sallonin duke argumentuar se ajo merrte punë nga firmat e produkteve të flokëve për shkak të flokëve të saj të gjatë.

Por salloni i preu flokët shkurt, kundër udhëzimeve të saj, duke i shkaktuar një humbje të madhe, vuri në dukje gjykata.

Salloni, i cili është pjesë e një zinxhiri të njohur hotelesh në Delhi, lejohet të apelojë kundër vendimit, por ende nuk ka bërë një deklaratë mbi vendimin.

Komisioni Kombëtar për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Konsumatorit (NCDRC) tha se vajza humbi "punët e pritshme dhe pësoi një humbje të madhe e cila i ndryshoi plotësisht stilin e jetesës dhe shkatërroi ëndrrën e saj për të qenë një top modele".

"Ajo pësoi një shkatërrim të rëndë mendor dhe trauma për shkak të neglizhencës së sallonit në prerjen e flokëve dhe nuk mund të përqëndrohej në punën e saj dhe në fund e humbi punën," vuri në dukje gjykata në argumentimin e vendimit.

Modelja shkoi në hotel në vitin 2018 për të prerë flokët dhe i dha udhëzime specifike stafit për pamjen që ajo dëshironte.

Por stilistja e flokëve i preu një pjesë të madhe të flokëve, sipas dokumenteve të gjykatës.

"Vajza ndaloi së shikuari veten në pasqyrë. Ajo është një profesioniste komunikimi dhe tani e ka humbur vetëbesimin për shkak të flokëve të shkurtër," thuhet në vendimin e rrallë të gjykatës.

Kur vajza u ankua në sallon, asaj iu ofrua një trajtim flokësh falas për të kompensuar gabimin. Vajza i tha gjykatës se trajtimi ishte "i dyshimtë dhe rezultoi në dëmtimin e flokëve të saj".

"Ajo gjithashtu pësoi humbje të të ardhurave për shkak të prerjes së gabuar të flokëve dhe, më pas, trajtimit torturues të flokëve të saj. Vajza jo vetëm humbi punën, ajo po përjeton dhimbje dhe traumë dy vitet e fundit pas këtij incidenti," tha gjykata.

Foto: Getty Images