Transmetuar më 25-09-2021, 07:52

Njihni Kosovën! Është realitet i pakthyeshëm! Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB, që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë.

“OKB nuk do të jetë e plotë pa Kosovën. Kjo nuk është thjesht për kauzë, është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Europës, në Ballkanin Perëndimor. Kjo punë duhet të përfundohet dhe dua ta theksoj dhe e përsëris këtë thirrje, një Kosovë e pavarur dhe sovrane është realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajon”, tha ai.

Rama u shpreh se mbështet dialogun si të vetmen rrugë mes Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen e ndërsjellë.

Kryeministri mbrojti edhe nismën Ballkani i Hapur, duke thënë se do të sjellë më shumë zhvillim, punësim dhe stabilitet në rajon, si dhe ta bëjë paqen një proces të pakthyeshëm.