Transmetuar më 27-09-2021, 18:17

CEO i Pfizer, Albert Burla parashikon se koronavirusi do të bëhet grip sezonal. Ai lajmëron se pandemia merr fund vitin e ardhshëm

Vitin e ardhshëm, ne do të kthehemi në normalitet të plotë dhe do të shënojmë fundin e pandemisë koronavirus. Këtë e pohoi publikisht, drejtori i përgjithshëm i Pfizer, Albert Burla.

Në intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC, z.Burla tha se kjo pandemi është çështje muajsh që të zhduket, por shtoi se mutacione të reja nuk përjashtohen. Gjithsesi siguroi se brenda 12 muajsh nuk do të ketë më pandemi.

"Brenda një viti ne do të jemi në gjendje t’i kthehemi jetës normale. Vitin e ardhshëm nuk do të ketë më pandemi globale të koronavirusit të ri Sars-Cov2.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se mutacionet e reja do të ndalen dhe nuk do të na shqetësojnë".

Parashikojmë se me kalimin e kohës, Covid-19 ka shumë të ngjarë të zhvillohet në një grip sezonal që do të kërkojë vaksinim vjetor për të luftuar mutacionet e reja që do të shfaqen tani e tutje në të gjithë botën.

Unë mendoj se skenari më i mundshëm janë vaksinimet vjetore. Por ne nuk e dimë ende të saktë. Duhet të presim dhe të shohim zhvillimet”, deklaroi ai, citon noa.al.

Më herët ishte CEO i Moderna, Stefan Bancel, i cili javën e kaluar parashikoi që pandemia "do të përfundojë vitin e ardhshëm".

Bancel megjithatë, tha se qytetarët do të duhet të vaksinohen që të kenë një dimër të mirë ose ndryshe, skenari më i mundshëm është që ata të sëmuren dhe mund të kenë nevojë të shtrohen në spital.