Transmetuar më 27-09-2021, 19:52

Në ka një sektor që ka fituar më shumë gjatë pandemisë, janë bankat. Ky sektor e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit me një rezultat neto financiar prej 10.5 miliardë lekësh, ose me një fitim rreth 47 për qind më të lartë në krahasim me një vit më parë. Shifrat dalin nga raporti i stabilitetit financiar për gjashtë muajt e parë të këtij viti, të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH, në këtë rritje të fitimeve janë të përfshira thuajse të gjitha bankat e nivelit të dytë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë.

Në rritjen e rezultatit financiar ka ndikuar rritja me rreth 8 për qind në të ardhurat neto nga interesat e kredive dhe rritja me rreth 30 për qind në të ardhurat jo nga interesat, ndërkohë që edhe shpenzimet për provigjione gjatë gjysmës së parë të vitit ishin më të ulëta në krahasim me ato të së njëjtës periudhë një vit më parë.

Për sektorin, të ardhurat neto nga interesat vijojnë të përfaqësojnë zërin kryesor të të ardhurave dhe shpenzimet jo për interesa mbeten zëri kryesor i shpenzimeve. Të ardhurat jo nga interesat, të përfaqësuara kryesisht nga të ardhura nga komisionet janë kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për sektorin bankar. Ato kanë regjistruar një rritje graduale gjatë viteve të fundit dhe pesha e tyre në raport me të ardhurat neto nga interesat ka arritur në 30%, nga 20% një dhjetëvjeçar më parë.

Aktiviteti kryesor bankar i pasqyruar në të ardhurat neto nga interesat regjistroi rritje. Në këtë zhvillim, sipas BSH, kanë ndikuar si rritja në të ardhurat nga interesat, ashtu dhe rënia e shpenzimeve për interesa.

Të ardhurat jo nga interesi u rritën me 1.8 miliardë lekë dhe kapën vlerën 8 miliardë lekë, kryesisht për shkak se bankat gjatë periudhës kanë arkëtuar më shumë gjoba dhe komisione në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Nga ana tjetër, edhe shpenzimet e përgjithshme të veprimtarisë u rritën me 1 miliardë lekë. Pavarësisht kësaj rritjeje, kostot e veprimtarisë u mbuluan në nivele të mira nga të ardhurat e veprimtarisë.

Raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave ishte 57%, ose disi më i ulët nga një vit më parë, si pasojë e rritjes më të lartë të të ardhurave të veprimtarisë në krahasim me rritjen shpenzimeve.

BSH thotë se procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave ka vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit, por ritmet aktuale të fshirjeve janë shumë më të ulëta në krahasim me disa vite më parë.

“Gjatë 12 muajve të fundit deri në fund të muajit qershor, bankat kanë fshirë një vëllim kredish të humbura prej 3 miliardë lekësh. Mbi 80% e kësaj vlerë iu përket kredive të marra nga bizneset vendase në monedhë të huaj. Vlera e kredive të fshira vitin e fundit ishte sa 7% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave në fund të muajit qershor 2021, ndërkohë që për vitin 2019 ky raport ishte i barabartë me 17%. Nëse në tepricën e kredisë (krahas efektit statistikor të kursit të këmbimit), do të përfshihej edhe vëllimi i kredive të fshira gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, rritja vjetore e kredisë do të ishte 7.4%”, thotë BSH.