Transmetuar më 27-09-2021, 22:42

Kompania Facebook e cila është pronare edhe e Instagram dhe Whats App njoftoi se ka vendosur të anulojë planet për Instagram Kids. Vendimi vjen pas një kritike të ashpër që gazeta Wall Street Journal WSJ publikoi ditët e fundit.

Në investigimin që publikoi WSJ ishte arritur në përfundimin se Instagram është toksik për vajzat adoleshente.

Kompania tha se tërhiqet nga vendimi për të krijuar një Instagram vetëm për moshat nga 10 deri në 13 vjeç.

CEO i Instagram, Adam Mosseri tha se Instagram Kids do të ishte një "zgjidhje praktike për faktin se fëmijët gënjejnë për moshën e tyre për të hyrë në këto aplikacione" dhe do t’u mundësojë fëmijëve të lidhen me familjen dhe miqtë në një "mënyrë të përshtatshme për moshën që kanë".

Shumë organizata joqeveritare kanë bërë thirrje për ndalje të ndikimit të Instagram duke pohuar se platforma "e fiksuar pas imazheve" është e rrezikshme për shëndetin dhe privatësinë e fëmijëve.

Instagram kërkon që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç para se të krijojnë një llogari – por gjithsesi shumë fëmijë nën atë moshë e përdorin platformën.

Ndërsa projekti është ndalur, Instagram tha se do të zgjerojë punën për të gjetur mjete të reja të mundësisë së mbikëqyrjes prindërore, për fëmijët nga 13 deri 19 vjeç që përdorin Instagramin. /noa.al