Transmetuar më 30-09-2021, 15:38

Kosova dhe Serbia ulëm përfaqësuesit e tyre shtetërorë në një tryezë bisedimesh me ndërmjetësimin e Brukselit dhe arritën në marrëveshjen që secili shtet të kërkojë nga drejtuesit e mjeteve që t’u vënë letra ngjitëse targave.

Për Serbinë kjo është fitore sepse në rrugët e këtij shteti nuk do të shfaqen targat me stemën e Kosovës Republikë.

Kurse për Kosovën nuk duket të ketë ndonjë fitore, sepse prej vitesh targat e Serbisë udhëtonin lirshëm në gjithë territorin.

Kosova vendosi në shtator të vërë në zbatim reciprocitetin me Serbinë duke detyruar edhe ajo mjetet që hyjnë prej atij vendi që të pajisen me targa provizore dhe taksë 5 euro. Kur këtë e filloi Serbia, vite më parë, asnjë zyrtar në BE nuk reagoi për ta dënuar, Kosova nuk u mbështet dhe palët nuk u thirrën për marrëveshje. Tani që Kosova sapo nisi të zbatojë reciprocitetin dhe serbët u ankuan, Brukseli veproi menjëherë.

BE tha se palët arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak tha se pas dy ditësh bisedime, Kosova dhe Serbia u pajtuan për çështjen e targave të automjeteve.

Pala serbe e pranoi propozimin për kompromis me Kosovën, me qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, siç tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën personalisht jam shumë i kënaqur”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Nish.

Sipas tij, marrëveshja ka “anët e mira dhe të këqija”, por shtoi se për Serbinë “është e rëndësishme” që njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës dhe “ne të ruajmë paqen”.

Që nga 20 shtatori, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme derisa vozisin në Kosovë. Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar prej disa vitesh, por shqiptarët nuk bënë të tilla reagime ekstreme si serbët prej kaq ditësh.

Për të mbikëqyrur procesin, Kosova ka dërguar në veri edhe njësitë speciale policore. Me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku, ndërsa në targa të të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse. Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja ka tri pika:

1.Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2.Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3.Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.