Transmetuar më 30-09-2021, 22:44

Ndërsa vendi po përjetoni valën e e të pandemisë dhe në kushtet kur qëndrimi gjatë i fëmijëve në mjedise të mbyllura, sipas mjekëve i kthen në vatra infektimi, këtë të enjte në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në zonën e ish-Bllokut, dhjetëra prindër firmosën  një peticion që kundërshton mësimdhënien me orë të shkurtuara dhe me turne për fëmijët e tyre.

Peticioni i formuluar dhe shpërndarë në disa shkolla të kryeqytetit nga një grup prindërish, synon të nxisë Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të shfuqizojë udhëzimin për mësimin e shkurtuar në shkolla.

Në formulimin e dokumentit prindërit kanë parashikuar bojkot të mësimit dhe më pas protesta para ministrisë, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh në një afat kohor 5-ditor nga dorëzimi i peticionit.

Peticioni citon si bazë ligjore nenin 57, pika 1 të “Kushtetutës së Shqipërisë” me argumentin se po shkelet e drejta themelore kushtetuese për arsim, si dhe ligjin “Për arsimin parauniversitar” për cënimin e të drejtës së prindërve për konsultim në vendimmarrje.

Rigerls Xhemollari nga Qendresa Qytetare, një organizatë joqeveritare për çështje të arsimit, tha se vendimi për orare të shkurtuara është diskriminues, pasi prek vetëm një pjesë të nxënësve ose rreth 370 shkolla në të gjithë vendin. “Shteti nuk ofron barazi për të gjithë fëmijët dhe shkel të drejtën për arsim cilësor, duke e bërë mësimin joefektiv me oraret e shkurtuara,” theksoi ai.

Sipas tij, janë afro 60-70 mijë nxënës që preken nga mësimi me turne.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha të mërkurën, se oraret e shkurtuara dhe mësimi me turne prek 22 për qind të shkollave, të cilat kanë densitet të lartë nxënësish për klasë, ndërsa 78 për qind e tyre zhvillon mësimin normalisht sepse nuk kanë 40 deri 45 vetë në klasë si shkollat e tjera por më pak se 25 vetë.

Prindërit paralajmërojnë se do të dalin në protestë së bashku me fëmijët, nëse shteti nuk reagon për të zgjidhur problemin.

Por paralajmërimet e tyre bien ndesh me fjalën e ekspertëve. Nga ana tjetër është ende në fuqi ligji për gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë dhe urdhrat e udhëzimet që shpall ministria e Shëndetësisë janë të detyrueshme për zbatim.

Ajo që çudit është fakti se urdhri për mësim me numër të reduktuar në klasa, u ka shkuar edhe privatëve, por thuajse asnjëri nuk e zbaton.