Transmetuar më 01-10-2021, 10:10

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka dhënë detaje në lidhje me situatën pandemike në të cilën ndodhet vendi ynë kohët e fundit.

Në një intervistë televizive, ai u shpreh se shifrat tregojnë se ka një ulje të numrit të të infektuarve duke bërë që në mesin e tetorit të kemi një situatë të stabilizuar.

Sipas mjekut, varianti Delta është ai që është mbizotërues dhe deri më tani nuk mund të flasim për një valë tjetër pasi nuk kemi asnjë variant të ri në qarkullim. “Në këtë moment rastet janë në rënie dhe numri i pacientëve të shtruar, po ashtu normalisht do të bjeri dhe numri i viktimave. Mund të ketë një valë tjetër, por kjo mundësi është më e vogël se pranverën e kaluar, të cilat lidhen kryesisht me variante të reja, por fatmirësisht për momentin në shkallë globale nuk ka një variant të ri.

Delta krahas variantit Alfa tek ne ka diferencë madhore mjaft që të kujtojmë diskutimet në shkurt dhe në shtator. Mund të ketë raste, por 98% e rasteve janë Delta, varianti Mu ne e kemi parë që në janar më parë që nuk u hap siç ndodhi me Deltën që u shfaq në fund të marsit, e cila po mbizotëron dhe variantin MU”, tha ai. Ndër të tjera, mjeku u shpreh, se virusi po vjen drejt zhdukjes dhe do kthehet në virus sezonal si gripi. “Situata është në përmirësim e sipër, që do të kthehet në një virozë sezonale, ose një endemi që mund të përhapet dhe të shuhet sërish”, tha ai.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, u shpreh se numri i infektime ka rënie. Ai ka komentuar edhe humbjen e jetëve të nënave shtatzëna, apo atyre që sapo lindin. Ai u shpreh, se imuniteti i tyre është shumë më i dobët se një bashkëmoshatare e tyre që nuk është shtatzënë.

“Numri spitalor në Infektiv ishte 155 dhe 230 një javë më parë ka një rënie dhe është e vetmja shifër që raportohet, dhe të sëmurët e tjerë në spitalet e tjera nuk raportohen.

Risku i një gruaje shtatzënë është më i lartë se një grua në të njëjtën moshë. Shqipëria ka 28 deri në 30 mijë lindje, ne nuk e dimë sesa janë në terren të sëmura, por mbetet për të theksuar se gratë shtatzëna që janë në moshë të re janë më pak të rrezikuara se moshat e vjetra dhe më të rrezikuara se një grua e moshës së tyre, pasi një grua shtatzënë është shumë e lodhur duhet ta pranojmë këtë”, tha ai.