Transmetuar më 01-10-2021, 16:35

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se po bëhen përgatitjet e fundit në spitalin Covid 4 dhe shtoi se po shihet skenari për rikthimin si spitale Covid edhe të Sanatoriumit dhe spitaleve rajonale në rrethe.

Ministrja tha se përgatitjet po bëhen për të qenë gati nëse do të ezaurohen kapacitetet në dy spitalet e tjera Covid 1 dhe Covid 3. Por ajo nuk shpjegoi pse ky nxitim për kaq shumë spitale Covid kur në dy ekzistuese ndodhen 158 pacientë ose pak më shumë se gjysma e kapacitetit të tyre.

Në kovid4 ish shkolla Kristal ku ishte sot Manastirliu janë 108 shtretër dhe tha se pajisjet nuk mungojnë me të gjitha materialet. Salla e terapisë intensive është e pajisur me të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme”, tha Manastirliu ndërkohë që ky spital në valën e 2020 shërbeu vetëm për raste të lehta.

Ministrja njoftoi se do të punësohen dhe 150 vetë personel mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë u ndal në përfshirjen në përballimin e situatës, edhe të kapaciteteteve të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

“Ne si Shëndetësi jemi të përgatitur për çdo skenar. Ndaj, jo vetëm hapja e Spitalit Covid 4 në momentin që do të ketë ezaurim të kapaciteteve është një çlirim, një lehtësi për të trajtuar pacientët, por nga ana tjetër është dhe skenari i cili është tashmë gati, i hapjes së spitaleve rajonale apo i rishikimit të mundësisë të aktivizimit edhe të spitalit “Shefqet Ndroqi” i cili aktualisht është duke trajtuar shumë raste post-covid”, tha Manastirliu.

Shefja e Shërbimit Infektiv, dr. Najada Çomo, referuar raste shtrimeve në spital tha se pjesa më e madhe janë të pavaksinuar. “Është më pak se 3% persona të vaksinuar, prej të cilëve një pjesë kanë bërë një ose dy doza. Por pjesën më të madhe padyshim që janë personat e pavaksinuar, pra mbizotëron në mënyrë absolute”, tha Çomo. /noa.al