Transmetuar më 01-10-2021, 20:36

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e koordinuar me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nën OK që u dha Rama, vendosi sonte që të dorëzohet përballë një kërkese të nxituar të disa prindërve që të mbushen klasat me kapacitet të plotë, në kushtet kur vendi po përjeton valën e katërt të pandemisë.

Ministrja njoftoi se nga e hëna nuk do të ketë më mësim me turne në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se klasat do të jenë me kapacitet të plotë, kryesisht me 30 deri 45 nxënës.

Po ashtu edhe orët do të jenë 45 minutëshe duke rikthyer mësimin si para pandemisë. Kështu nxënësit do të duhet të rrinë brenda shkollave për 5 deri 7 orë çdo ditë.

Ekspertët epidemiologë kanë qartësuar se mutacioni aktual Delta është shumë infektues sidomos te fëmijët dhe bën që ata të shërbejnë si vatra infeksioni.

Ndaj ministria e Shëndetësisë kishte vendosur që fëmijët të qëndrojnë 2 orë në shkollë duke bërë 4 orë 30 minutëshe dhe në çdo klasë vetëm një e treta e kapacitetit ose një e dyta kur kishte më pak se 30 nxënës. Në këtë mënyrë kufizohej shumë koha e mundësisë infektuese dhe ruhej distancimi fizik.

Por çfarë ndodhi që qeveria nxitoi të shpallë rikthimin në "normalitet"?

Kushi njoftoi anulimin e mësimit me turne, një ditë pasi në shkollën Edit Durham u firmos nga disa prindër një peticion që kërkonte orët 45 minutëshe dhe pa turne.

Peticioni u nënshkrua pikërisht në shkollën ku raportohen raste të shtuara të fëmijëve të infektuar me COVID19, të cilët kthehen në burim infektimi për çdo moshë tjetër.

Prindërit u justifikuan se kafenetë janë plot, por ata harrojnë se të shkosh në kafe nuk është diçka e detyrueshme siç është të ndjekësh mësimin. Dhe për më tepër, qëndrimi i fëmijëve në shkolla për kohë të gjatë, rrezikon shumë kthimin e mjediseve të edukimit në vatra infektimi.

Dorëzimi i ministres Kushi duket se është i koordinuar dhe me ministrin e Shëndetësisë e cila njoftoi sot se po bën gati të gjitha spitalet e vendit për të pritur të infektuar me koronavirus.

Çfarë po parashikon Qeveria? Bëhen gati Sanatoriumi dhe Covid4, si dhe të gjitha spitalet në rrethe

Në këtë mënyrë, qeveria ka vendosur të aplikojë vetërregullimin, duke i lënë njerëzit t’ia dalin vetë për çdo problem që mund të përballen.

Në këtë pikë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi "Zoti na ruajtë"!