Transmetuar më 05-10-2021, 08:15

Një deklaratë vërtet “virale” kjo e futbollistit brazilian të Juventusit, Danilo, teksa po mundohej të përshkruante sa i fiksuar me këtë sport është Pep Guardiola. Mbrojtësi në fjalë mbërriti te bardhezinjtë nga Manchester City.

Në ekipin anglez ai përkoi me Pep Guardiolën dhe, siç kujton në një intervistë për “La Repubblica”, marrëdhënia midis të dyve nuk ishte krejtësisht e arrirë. Pyetjes në lidhje me trajnerët e mëdhenj që ai kishte, si Zidane, Massimiliano Allegri dhe vetë Pep, braziliani iu përgjigj:

"Unë kam qenë me fat që kam punuar me ta, janë të ndryshëm, por të gjithë trajnerë fitues. Jam përpjekur të mësoj nga të gjithë. Duke punuar me Guardiolën kam ndryshuar mënyrën e shikimit të gjërave, por s’kam luajtur shumë për shkak të një dëmtimi.

Është e vërtetë se nuk mund të kesh kollaj një marrëdhënie të mirë me të (i referohet Pep). Guardiola kurrë nuk është i qetë, ai mendon për futbollin gjatë gjithë kohës. Unë mendoj se në shtëpi, gjatë natës, ai e vendos gruan në krevat sikur të ishte një lojtare në fushë”, – vazhdoi mbrojtësi.

Për trajnerin e tij aktual te “Zonja e Vjetër”, siguroi: "Nga Allegri përpiqem të përfitoj diçka që paraardhësit e tij nuk ma kishin mësuar akoma. Ai dëshiron diçka krejtësisht të ndryshme dhe jam i sigurt se do të bëhem më i fortë".