Transmetuar më 07-10-2021, 15:12

Liri e plotë për të vaksinuarit në Greqi, nga e shtuna 9 tetor e për 15 ditë me radhë. Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, ka deklaruar se nga 9 tetori të vaksinuarit do të mund të rikthehen në normalitet, duke vepruar e kryer çdo aktivitet si para pandemisë. Kjo do të thotë që mund të qarkullojnë pa maska, të argëtohen në qendrat e natës, të kenë akses kudo, vetëm me certifikatën e vaksinimit.

Ndërkohë që për zonat e kuqe, për momentin Greqia Veriore ku përqindja e të vaksinuarve është akoma e ulët, do të ketë paralajmërime dhe thirrje për masa mbrojtëse, por jo të detyrueshme.

Shumë specialistë infektiologë, përfshi dhe anëtarë të komitetit të specialistëve për pandeminë, kanë reaguar ashpër kundër këtij vendimi, duke theksuar se është tepër herët të dërgojmë mesazhin se jemi rikthyer në normalitet dhe se jemi një shoqëri e hapur, pa COVID-19.

Sot në Greqi 10% e pacientëve që kurohen me COVID-19 në spitalet e vendit janë të vaksinuar, ndërsa në Greqinë Veriore shifrat e të infektuarve kanë transformuar shumicën e qyteteve në zona të kuqe me mini lockdown. Edhe të pavaksinuarit infektohen nga mutacionet dhe ishte pikërisht kjo situatë që solli domosdoshmërinë e dozës së tretë, kanë theksuar mjaft specialistë, të cilët kërkojnë zbatim total të masave mbrojtëse, rishikim të vendimit për festën kombëtare të 28 Tetorit pa protokoll covid-19, të festave të mëdha fetare në vijim, si dhe në prag të një dimri që e konsiderojnë se do të jetë tepër i vështirë.

Gjithsesi, qeveria greke ka bërë të ditur pak ditë më parë se synon të kufizojë ndjeshëm edhe komitetin shtetëror të specialistëve për covid-19, nga 33 anëtarë sot në vetëm 7 anëtarë, si dhe të ndryshojë formën e informimit në shtyp, duke rralluar deklaratat mediatike. Mesazhi që do të kalojë është se vaksinimi është rruga e vetme drejt lirisë së plotë dhe se tashmë ofrohet masivisht falas, kështu që shoqëria greke ka çdo mundësi të rifunksionojë normalisht shumë shpejt.