Transmetuar më 08-10-2021, 23:43

Kryeministri Edi Rama komentoi sot në emisionin “Zonë e Lirë” protestën e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër rritje së çmimit të energjisë dhe naftës.

Teksa u ndal te fotomontazhi i shpalosur nga aktori i humorit Florian Binaj, ku Rama paraqitej si Nusreti, kryeministri tha: “Mund të kishte vënë trupin e vet me kokën time, sepse trupin nuk e ka goditur!”.

“Jam i hapur dhe i qetë përpara protestave. Protestat kanë qenë lajkmotiv që kanë shoqëruar rrugën time si kryeministër. sepse i kam pasur rregullisht poshtë dritaresh”, u shpreh Rama teksa komentoi protestën e ardhshme që pritet të mbahet ditën e hënë.

Ndërsa komentoi një pankartë ku shkruhej: “Kushton më shumë buka sesa hashashi“, Rama citoi një raport konfidencial sipas të cilit çmimi i kanabisit është rritur sepse nuk ka më prodhim.

“Ka një rritje katastrofike të çmimit (të hashashit) se ska prodhim. E kam parë në një nga raportet, sepse ka kaq kohë që nuk ka as kapje as nga policia italiane, sepse ka rënie drastike të kultivimit. Ky është shumë lajm i mirë sa më takon mua. Është raport konfidencial. Flasim për shit-blerjen në tregun ndërkombëtar, jo për në Shqipëri. Në tregun e zi ndërkombëtar çmimi ka shkuar në stratosferë. Flasim për furnizmin nga tregu i Shqipërisë”, tha Rama.