Transmetuar më 09-10-2021, 18:58

Ndërsa Evropa dhe më gjerë globi, nuk flet për krizë energjitike por për një rritje aktuale të çmimeve dhe ndërsa orët e fundit çmimet e gazit dhe naftës nisën të bien pasi Rusia bëri të ditur se do të pengojë një krizë të mundshme duke hapur rubinetët e saj, kryeministri Edi Rama vazhdoi sot për të disatën ditë me radhë të flasë me terma të rëndë dhe ankthsjellës, të tipit "krizë e egër, frikë, kaos, panik, rritje marramendëse çmimesh, asgjë nuk do jetë më si më parë, asnjë rikthim në normalitet, furtunë", etj.

Sot, Rama doli para publikut dhe shpalosi atë që e cilësoi "plan të qeverisë për mbrojtjen e familjes shqiptare nga furtuna e krizës energjetike"

Kryeministri tha se kjo krizë e supozuar "kërcënon seriozisht buxhetet familjare, buxhetin e kompanisë sonë të shpërndarjes së energjisë elektrike por edhe stabilitetin e sistemit elektro-energjitik shqiptar".

Deklarata e Ramës që vjen e përsëritur shpesh këto ditë, ka reflektuar goxha në tregun shqiptar duke u shoqëruar me rritje abuzive çmimesh në shumë produkte e shërbime, krejtësisht të pajustifikuara, përfshirë shtrenjtimin e naftës, gazit dhe benzinës, produkte që do të duhej të paktën 2 deri 3 muaj që të reflektohej rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare, rritje që ka nisur vetëm ditët e fundit.

Për këtë fakt të shtrenjtimit të çmimeve të lëndëve djegëse, Rama nuk ka bërë komente, ndërsa organet kompetente nuk kanë njoftuar nëse po përpiqen të ndalin dhe ndëshkojnë abuzuesit që janë bërë të gjithë bashkë në këtë valë përfitimesh në kurriz të shqiptarëve.

Në daljen e sotme për media, Rama tha se që nga 2015 kur çmimi për kw/orë shkoi nga 7 në 9.5 lekë pa tvsh për familjet, ky çmim është nën koston e prodhimit dhe subvencionohet nga shteti, pra sipas tij, kostoja për kw është më e lartë se 9.5, por tepricën e paguan shteti. (Në një analizë që noa.al do të publikojë javën e ardhshme do të përballë çmimet që OSHEE ua shet shqiptarëve, me ato që ajo ua blen OST, kompanive private dhe në bursën ndërkombëtare në kohë të ndryshme gjatë një viti).

Ndërsa tha se do të ketë konsultim publik, Rama shpalli atë që e cilësoi planin e kundërveprimit ndaj krizës energjitike, me tre pika:

"E para, garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara.

E dyta, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara;

E treta, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, që do të jenë të ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe pikën dy."

Rama nuk dha shpjegime për asnjë nga tri pikat e këtij plani.

Kurse lideri i opozitës, Lulzim Basha e komentoi kështu daljen e radhës së Edi Ramës: "Krizë" për të fshehur vjedhjen: Thjesht po fsheh vjedhjen e radhës përmes OSHEE duke e justifikuar me “krizë”. Njësoj siç bëri me tenderët sekretë gjatë pandemisë. Njësoj siç bëri me tenderët e ushqimeve për familjet e goditura nga tërmeti".