Transmetuar më 10-10-2021, 21:02

Serbia nuk lë rast t’i shpëtojë në raport me Kosovën dhe Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është interes i tiji personal, por aspiratë e kombit shqiptar.

Deklarata e bërë prej tij ditën e premte gjatë intervistës për emisionin Zonë e Lirë ka mbërritur në “veshët e ndjeshëm” serbë në lidhje me këtë çështje.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin tha se Rama kishte deklaruar se qëllimi i karrierës së tij politike është “Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”. Vulin thotë se “ky plan i shqiptarëve mund të parandalohet vetëm nga formimi i ‘botës serbe’”.

“Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se detyra e karrierës së tij politike është “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën dhe Metohinë sipas Rezolutës 1244, hesht dhe BE nuk do të lëshojë deklaratat e saj të famshme që bëjnë thirrje për “të dyja palët e të vetëpërmbahen”. Kur unë, i cili nuk jam kryeministër i Serbisë, thërras në emrin tim për unitetin politik të të gjithë serbëve dhe them se detyra e brezit tim është të krijojë një ‘botë serbe’, atëherë i gjithë rajoni reagon dhe BE ka diçka për të thënë. Të gjithë heshtin për ‘Shqipërinë e Madhe’, serbët duhet të flasin”. Pengesa e vetme për ‘Shqipërinë e Madhe’ është krijimi i një ‘bote serbe’’, tha ai për mediat serbe.

“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e mia, aspiratën time por jo të jem unë në krye. Kam plane të tjera”, tha gjatë intervistës Kryeministri Rama.