Transmetuar më 14-10-2021, 16:42

Zyrtarë të Senatit Amerikan kanë zhvilluar një takim në selinë blu ku u pritën nga Kryetari Lulzim Basha.

Demokracia shqiptare dhe zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet e diskutuara në takimin që zgjadhi për rreth 30 minuta.

Në prononcimin për mediat Basha u shpreh se është e domosdoshme të forcohet prania politike e SHBA në Rajon për të ndaluar çdo ofensivë jo perëndimore

“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur, një ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqin ku ndodhet pas masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe rolin e PD dhe opozitës në parlament dhe në bashkëpunim me gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e SHBA, për të kthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Përmes një vendi që është demokratik, ku respektohen zgjedhjet e qytetarëve, ku nuk goditet e burgoset i pamunduri por ndëshoket politikani i korruptuar.

Çështja tjetër, ka të bëjë me rajonin, sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit dhe nevojës për të forcuar praninë politike të SHBA për të ndaluar çdo ofensivë jo perëndimore.”-u shpreh Basha.

Integrimi europian, ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve që kryedemokrati pati me delegacionin e Senatit amerikan.

“Miqtë u interesuan dhe përsa i përket procesit të integrimit europian, të cilin e mbështesin plotësisht, dhe për konfuzionin e krijuar përmes mosperformancës së autokratëve të Ballkanit duke nisur nga ky i Tiranës” – tha Basha.