Transmetuar më 15-10-2021, 08:50

Bill Clinton probleme me shëndetin. Ish-Presidenti Bill Clinton u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv të Universitetit të Kalifornisë Irvine për një infeksion të traktit urinar që u përhap në qarkullimin e tij të gjakut, thanë mjekët e tij për CNN.

"Ai u shtrua në ICU për monitorim të vazhdueshëm dhe mori antibiotikë e lëngje për kurim. Ai vijon të mbetet në spital për monitorim të vazhdueshëm," sipas një deklarate të enjten në mbrëmje nga Dr. Alpesh Amin, drejtor i mjekësisë në Qendrën Mjekësore UC Irvine, dhe Dr. Lisa Bardack, mjekja kryesore personale e Clinton.

Mjekët thanë se Clinton u shtrua në ICU për privatësi dhe siguri, jo sepse ai ka nevojë për kujdes intensiv.

Clinton është në humor të mirë, duke folur vazhdimisht me familjen dhe stafin, dhe ka qenë në gjendje të ecë në këmbë.

Clinton, i cili ishte në Kaliforni për një ngjarje private për fondacionin e tij, ishte ndjerë i lodhur të martën dhe u shtrua në spital pas testimit, sipas zyrës së tij.

Mjekët e ish-Presidentit thanë se infeksionet urologjike janë shumë të zakonshme tek njerëzit e moshuar dhe ato trajtohen lehtësisht, edhe pse ato mund të përhapen shpejt në qarkullimin e gjakut.