Transmetuar më 15-10-2021, 10:31

Ka përfunduar mbledhja e krysisë së PS. Kryeministri Edi Rama foli për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS. Ai tha se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit shqiptar dhe se kjo vijë e kuqe do të garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore.

“Një proces tjetër të transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje.

Një nga pyetjet që gazetarët i bënë ishte lidhur me satelitët shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2” që do ngrihen në orbitë, deklaratë kjo e vetë Ramës dje në seancën parlamentare.

Duke parë një lloj ironie në pyetjen e gazetarëve, Rama u përgjigj po me ironi: “Kini durim, qeshni se e qeshura shëndet është dhe ju bën mirë të gjithëve”.

“ Shqipëria do ketë satelitë shumë shpejt për të kontrolluar rendin, do ketë edhe dronë inteligjentë që do na shërbejnë. Janë mjete të një teknologjie të re që do monitorojnë shumë gjëra, që nga kufijtë, te ndërtimet, tek informacioni që i duhet strukturave të shtetit për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike, për të mbjellat e bujqësisë, për shumë çka si dhe për të luftuar krimin e organizuar duke pasur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme.

Do shmangin policët e korruptuar. Nuk ka nevojë të jesh vend shumë i zhvilluar për të bërë një kapërcim të tillë përtej imagjinatës. Satelitët do jenë shumë shpejt, ashtu si dhe dronët dhe do rrisë kapacitetet e kontrollit të territorit në të gjitha aspektet ,për zjarret, për emergjencat civile,” shtoi kryeministri.

Ajo do të nënvizoja shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike në territor është një vijë e kuqe e cila është vendosur fortë në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, tha Rama.