Transmetuar më 15-10-2021, 12:13

Çshtë marrë me humor, por Kryeministri Rama e ka seriozisht për satelitët në hapësirë.

Teksa fliste dje në foltoren e Kuvendit për menaxhimin e krizës energjetike u ndal te mbrojtja e territorit.

Në këtë drejtim ai paralajmëroi se Shqipëria do të dërgojë në orbitë, duke nisur nga viti i ardhshëm, dy satelitë, të emërtuar “Albania 1 dhe Albania 2”, të cilat do të monitorojnë territorin dhe do të evidentojnë veprimtaritë e kundraligjshme.

“Jo vetëm do të blemë drona por dhe do të çojmë satelitë në orbitë. Këtë do e bëjmë vitin tjetër, Albania 1 dhe Albaia 2, sepse për ne ky vend nuk është tokë e nxanun. Na keni lënë një situatë që patjetër do kohë, durim, për të pastruar këtu e atje, s’mbaron, por ne shohim shumë larg.

Po të them, që dronët po e po, por edhe satelitët, në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, mbi kufijtë, të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy, që me thënë të drejtën, kur vjen puna te inspektorët, janë me virus edhe ata që kishit ju, edhe këta që kemi ne. Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni, sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet, kur qeshni, sepse nuk qani dot”, u shpreh dje Rama.

Kthimi i vëmendjes tek dronët inteligjentë

Nëpër botë dronët inteligjentë po përdoren gjithnjë e më shumë dhe ofrojnë një sfidë veçanërisht të frikshme kundër terrorizmit. Pasi edhe terroristët po tentojnë të përdorin të njëjtat mënyra duke shfrytëzuar teknologjinë për qëllimet e tyre.

Teknologjia dhe sistemet inteligjente me siguri do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë hapësirë, përfshirë zhvillimin e mjeteve anti-terroriste. Sidoqoftë, mbrojtjet kundër inteligjencës artificiale do të jenë të kushtueshme dhe do të duhet të zbatohen në qytete të panumërta në të gjithë botën perëndimore, diçka që ekspertët e quajnë "një sfidë e frikshme që do të kërkojë shpenzimin e miliarda dollarëve për kundërmasa elektronike dhe kinetike”

Shqipëria do të ketë dy, por sa satelitë ka sot në hapësirë?

10 vendet kryesore që po dominojnë industrinë satelitore janë SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Japonia, India, Agjencia Evropiane e Hapësirës, Kanadaja, Gjermania dhe Luksemburgu .

Përllogariten rreth 7941 satelitë, pjesa më e madhe e të cilëve i përkasin SHBA. Turqia është një nga 30 vendet që posedon satelitë. Gjashtë prej tyre janë aktivë, tre satelitë komunikimi dhe tre satelitë vëzhgimi

Tre të katërtat e satelitëve rrotullohen në orbitë të ulët mes 500 dhe 2000 km lartësi dhe përdoren kryesisht për sistemet e telekomunikacionit, imazhet tokësore ose meteorologjinë.

Sipas Shoqatës së Unionit të Shkencëtarëve, sateliti i parë është ai amerikan Amsat Oscar-7 (AO-7) i dërguar në hapësirë më 15 nëntor të vitit 1974. Numri i satelitëve është shtuar vitet e fundit, konkretisht 378 satelitë në vitin 2017 dhe 375 satelitë në vitin 2018.

Më 15 shkurt të vitit të kaluar India theu rekord duke dërguar në hapësirë 104 satelitë përnjëherë.

Numri i satelitëve Qëllimi

1832 satelitë Komunikimi

906 satelitë Vëzhgimi i Tokës

350 satelitë Zhvillimi dhe demonstrimi i teknologjisë

150 satelitë Navigimi dhe pozicionimi

104 satelitë Shkenca dhe vëzhgimi i hapësirës

20 satelitë Shkenca e tokës

10 satelitë Qëllime të tjera