Transmetuar më 15-10-2021, 12:26

Oerd Bylykbashi po ndërmjetëson me DASH për heqjen e statusit "non-grata" të Sali Berishës. Ky ishte lajmi që doli dje në mjaft media.

Ambasadorja amerikane ka reaguar ashpër duke u shprehur se vendimi i presidentit Biden është i qartë dhe se ai nuk negociohet.

"Memorandumi 7031 (c) përcaktimi nuk i nënshtrohet "negocimit" dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë "ndërmjetës". Ata që janë të paracaktuar mund të fajësojnë konsipiracionet, por faktet janë të pamohueshme. Pres. Biden e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara se do të mbajnë përgjegjësi ata që përfshihen në korrupsion", shkruan Yuri Kim.

DASH shpalli “non grata” familjen Berisha në maj të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare. Kreu i PD-së, Lulzim Basha më pas e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, derisa të zgjidhej përplasje me SHBA-në dhe të merrej vendimi për gjyqin e hapur në Francë nga ish-kryeministri ndaj sekretarit amerikan Blinken.

Por kush e “zbuloi” negocimin?

Baton Haxhiu mbrëmë në studion e emisionit Opinion u shpreh se deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka ndërmjetësuar për shpëtimin e Sali Berishës.

Baton Haxhiu: E para, është person non grata njeriu të cilin e ka dënuar SHBA. Dënimin e tij që e kanë bërë SHBA, t’ja lënë dënimin ose vrasjen Lul Bashës. Po si është e mundur? Ky njeri që është këtu, ka bërë çmos gjithë kohën me qenë ndërmjetësues i situatës për ta shpëtuar Sali Berishën.

Oerd Bylykbashi: Kush ka qenë ndërmjetësuesi?

Baton Haxhiu: Ti!

Blendi Fevziu: Po kjo është shumë e rëndë. Ka ndërmjetësuar Lul Basha me amerikanët?

Baton Haxhiu: S’ka lidhje kush.

Blendi Fevziu: Se kjo u bë e rëndë tani.

Baton Haxhiu: Po e ka shkruar Lapsi mo.

Armand Shkullaku: Jo. Lapsi ka thënë ka ardhur një mesazh një drejtuesi të Partisë Demokratike. Nuk kemi përmendur emra.

Blendi Fevziu: Baton ti duhet të dish ndonjë gjë. Baton ti ia ke dhënë Lapsit këtë?

Baton Haxhiu: Jo nuk ia kam dhënë unë.

Armand Shkullaku: Ky Batoni ka gjithmonë informacione që ne s’i kemi.