Transmetuar më 15-10-2021, 12:58

COP15 miraton Deklaratën e Kunming-ut për shtimin e biodiversitetit

Në mbledhjen e 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik (COP15) që po zhvillohet në Kunming të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore, u miratua të mërkurën Deklarata e Kunming-ut.

Në deklaratë shprehet angazhimi për të përshpejtuar dhe forcuar formulimin dhe përditësimin e strategjive dhe planeve kombëtare të veprimit për ruajtjen e biodiversitetit, për të krijuar një sistem efektiv të zonave të mbrojtura dhe për të përmirësuar në mënyrë aktive kuadrin ligjor global për mjedisin.

Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të rritur mbështetjen financiare, teknologjike dhe në krijimin e kapaciteteve për vendet në zhvillim, për të zbatuar Kornizën Globale të Biodiversitetit pas 2020-ës.

Në deklaratë shprehet gjithashtu zotimi për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe veprimin e bashkërenduar me Konventën Kuadër për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC) dhe marrëveshje të tjera ekzistuese shumëpalëshe mbi mjedisin, për të promovuar ruajtjen dhe përtëritjen e biodiversitetit tokësor, të ujërave të ëmbla dhe të ujërave detare.

Deklarata është një rezultat i rëndësishëm i pjesës së parë të mbledhjes së COP15, që ka nisur më 11 tetor dhe do të mbyllet më 15 tetor.

Pjesa e dytë e COP15 është planifikuar të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2022.