Transmetuar më 15-10-2021, 13:40

Humbja me Poloninë i zhgënjeu pa fund tifozët kuqezinj. Mbështetja e tyre ishte e jashtëzakonshme, pavarësisht disave që ranë pre e polakëve, duke goditur me shishe uji në minutën e 77-të, kur u shënua goli i vetëm nga kundërshtari dhe ndeshja u ndërpre më shumë se 20 minuta.

Ajo që bëri xhiron e rrjeteve sociale ishte videoja e një tifozi të vogël, i cili nuk i mbajti dot lotët në momentin e pësimit të golit. Më vonë u mor vesh se bëhej fjalë për 7-vjeçarin Amar Hasani, nga Lugina e Preshevës, të cilin e kishte filmuar babai i tij në atë moment prekës dhe e ndau videon për ndjekësit.

Ky i fundit ishte i ftuar me lidhje Skype tek “Abc-ja e mëngjesit”, ku zbuloi se Amari është tifoz i thekur i kombëtares kuqezi: “Që nga viti 2004 jam tifoz i rregullt i kombëtares shqiptare dhe viteve të fundit kam qenë me të gjithë anëtarët e familjes në stadium. Ka pasur raste që kombëtaren e kam ndjekur edhe në stadiume jashtë Shqipërisë, kam qenë në Moldavi, fjala vjen.

Djalit tim, Amarit, qysh nga mosha 3-vjeçare filluam t’i vendosnim shallin kuqezi në qafë, t’i hidhnim në supe flamurin, i flisnim gjithmonë për kombëtaren. Ndaj Polonisë ishte ndeshja e parë e tij në “Arena Kombëtare”, prej më shumë se një viti më kërkonte me ngulm ta merrja në stadium, kur të luante kombëtarja”.

Më tej, babai i tifozit “viral” të kombëtares shpjegoi se si e kuptoi se djali po qante, në kulmin e tifozllëkut në stadium: “Mendova se u ul në stol për shkak të lodhjes. E pyesja nëse je lodhur, ai nuk fliste. Kishte ulur kokën. Një moment ktheva kokën dhe e pashë duke qarë.

E kuptova se e kishte nga goli që na shënoi Polonia. Aty më shkoi mendja ta filmoja. Videon ia nisa bashkëshortes, vëllai më tha ta postoja në Facebook dhe aty u bë “virale”. Klaus Gjasula, futbollisti i kombëtares pati kontakt me ne pas ndeshjes, ai foli vetë me Amaris dhe i ka premtuar t’i japë fanellën e tij kuqezi në ndeshjet e ardhshme në Tiranë”.