Transmetuar më 15-10-2021, 14:17

Një raport auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, "Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid -19” ka nxjerrë ne pah një sërë problematikash me të cilat është përballur sistemi shëndetësor.

Auditimi i ushtruar ka dalë në përfundimin se menaxhimi i COVID-19 në vendin tonë nuk ishte efektiv dhe nxorri në pah problematikat e shumta të sistemit shëndetësor, si:

kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, fonde financiare të pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), pamjaftueshmëri në  trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës, etj.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit përballë virusit të panjohur, menaxhimi i situatës nga sistemi shëndetësor, nuk ishte shumë efektiv.

Raporti i auditit thekson gjithashtu se politikat e ndjekura nga institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike.

Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të rishikojë planet e miratuara nga Këshilli Shkencor i ISHP-së, në fushën e kontrollit, parandalimit, ndjekjes në kohë të rasteve të dyshuara të sëmundjeve infektive në situata pandemie.

Po ashtu, KLSH i kërkon institucioneve të rishikojnë aktet ligjore dhe nënligjore mbi sistemin e lajmërimit për situatën shëndetësore të qytetarëve në raste pandemie.

Një tjetër rekomandim i KLSH lidhet me vënien në punë të laboratorëve të shëndetit publikë me pajisjet që nevojiten si edhe rritjen e numrit të tyre për përballimin e epidemive.

Po ashtu nga KLSH kërkohet marrja e masave për gatishmërinë e spitaleve rajonale, qendrave shëndetësore, rritjen e numrit të specialistëve të sëmundjeve infektive për të rritur efektivitetin e shërbimeve shëndetësore dhe menaxhimin e suksesshëm të situatave epidemike në vijimësi.