Transmetuar më 15-10-2021, 14:50

Nisin procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Kuvendi votoi më 9 Qershor 2021 për shkarkimin e kreut të shtetit shqiptar dhe miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor Parlamentar.

Gjykata thotë në njoftimin publik se e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje “në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme”.

“Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues”, thuhet në njoftim.

Pas shkarkimit nga Kuvendi, tani verdikti përfundimtar pritet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si President.