Transmetuar më 16-10-2021, 08:52

Salernitana ka njoftuar se Frederic Veseli ka rezultuar pozitiv me koronavirus, pasi u kthye nga ndeshjet kualifikuese me Shqipërinë. Qendërmbrojtësi, që ka luajtur 38 ndeshje me fanellën kuqezi deri tani, kreu një test molekular në shtëpi, kur u kthye nga kombëtarja dhe rezultoi pozitiv.

28-vjeçari ende nuk ka luajtur në Serie A me skuadrën e tij këtë sezon, por tani do të detyrohet të humbasë sfidat e ardhshme për shkak të koronavirusit.

"Salernitana njofton se futbollisti Frederic Veseli rezultoi pozitiv në tamponin molekulare të kryer në shtëpi, – shkroi klubi italian në një deklaratë. – Mbrojtësi i bashkohet një liste të gjatë të mungesave. Ai nuk ka qenë në kontakt me pjesën tjetër të ekipit, por po kthehej nga angazhimet e tij me kombëtaren shqiptare".

Tashmë mbetet të shohim cili nga kuqezinjtë, që mori pjesë në grumbullimin për dy ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë, e ka radhën për të dalë pozitiv. Kujtojmë se një ditë më parë doli me koronavirus edhe Ivan Balliu, i cili “u zhduk” gjatë ndeshjes me polakët, gjasme me pretendimin se kishte dëmtim, por në fakt ai paskësh qenë infektuar.

Më herët, qysh ditën e parë të grumbullimit në Durrës, futbollisti Hoxhallari dhe fizioterapisti Voci rezultuan me koronavirus. Pastaj, 24 orë para ndeshjes me Poloninë në “Air Albania”, dy kuqezinj të tjerë u izoluan për të njëjtin shkak, Cikalleshi dhe Gjasula.

Për momentin, bilanci është vërtet negativ, me 6 të prekur nga virusi i rrezikshëm në kombëtare. Një vatër infeksioni, me plot kuptimin e fjalës.