Transmetuar më 16-10-2021, 12:02

Pas triumfit në Ligën e Kombeve me Francën, në finalen e “San Siro” kundër Spanjës, një mallkim duket se ka rënë mbi vëllezërit Hernandez. Ndërsa Theo i Milanit u infektua me koronavirus, vëllai i tij, Lucas, mbrojtësi i Bayern Munich, u thirr të paraqitej në Gjykatën e Madridit pas akuzave për keqtrajtim në familje, për një fakt që daton nga viti 2017.

Presidenti i klubit bavarez, Herbert Hainer, nënvizoi: "Ai do të shkojë në Madrid për të dalë para gjykatës, pas akuzave se ka dhunuar ish-gruan e tij. Lucas do të dëgjohet nga gjykata, pastaj do të shohim". Drejtësia spanjolle, të mërkurën urdhëroi burgosjen e futbollistit për mosrespektimin e urdhërit të mbrojtjes që kishte ish-gruaja e tij, lëshuar në shkurt 2017.

Disa muaj më vonë, Lucas Hernandez u martua me partneren e tij. Shkelja e këtij vendimi të gjykatës i dha atij një dënim me gjashtë muaj burg në vitin 2019, i cili ende nuk është ekzekutuar. Prandaj, mbrojtësi do të duhet të paraqitet më 19 tetor para një gjykate në Madrid, në mënyrë që të njoftohet për urdhrin e burgimit.

Pas kësaj seance, ai do të ketë 10 ditë për të hyrë në burg "vullnetarisht". "Kjo është një çështje private e Lucas Hernandez, nuk dua ta gjykoj atë", – saktësoi presidenti i Bayern Munich. Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë Rajonale të Madridit mbrojti urdhrin e referimit në një intervistë me gazetën gjermane “Bild”: "Ai ka dy dënime për dhunë në familje dhe gjithashtu një të tretë për shkelje të vendimit të gjykatës. Një krim shumë i rëndë".

Faktet datojnë që në shkurt 2017, kur vëllai i madh i Theos vishte fanellën e Atletico Madridit. Gjithçka filloi nga një grindje në rrugë me gruan e tij të atëhershme. Më 3 shkurt, Lucas Hernández dhe Amelia de la Osa Lorente bënë sherr në rrugë, francezi e rrahu atë sipas rindërtimit të ngjarjese.

Një gjykatë e Madridit i dënon të dy me 31 ditë shërbime sociale dhe i ndaloi të afrohen ose të komunikojnë për gjashtë muaj. Pavarësisht kufizimeve, të dy (tani të pajtuar) vendosën të shkojnë në muajin e mjaltit së bashku në Miami dhe me kthimin e tyre, së pari do të arrestoheshin dhe më pas të liroheshin.