Transmetuar më 16-10-2021, 13:44

Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes Juventus-Roma, trajneri bardhezi, Massimiliano Allegri, gjithashtu iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me përfundimin e lidhjes me partneren e tij, aktoren Ambra Angiolini.

Të dy, në fakt, e ndërprenë historinë e tyre të dashurisë pas katër vitesh për shkak të një tradhtie të dyshuar të Allegrit. Aktorja, ditët e fundit ka marrë edhe “Tapirin e Artë” nga "Striscia La Notizia", çka ndezi një reagim të ashpër nga disa kolegë në botën e shou-bizit.

Trajneri i Juventusit, në këtë konferencë për shtyp mbylli çdo diskutim të mundshëm: "Kurrë nuk kam folur për jetën time private dhe nuk kam ndërmend ta bëj. Këto janë dy gjëra që unë i kam ndarë gjithmonë. Është shumë më e rëndësishme të flasim për ndeshjen e nesërme”.

Dy ditë më parë, aktorja italiane tha këto fjalë për ndarjen nga Allegri: "Dita zero ekziston për të gjithë, është një moment në të cilin nuk fitoni, nuk humbsini, por duhet t’ia filloni përsëri.

Ndodh që largoheni nga njerëzit, të cilët bëhen kujtime, nga ata që nuk mbeten në jetën tënde, nga ata që kurrë nuk kanë qenë atje… Quhet ditë zero, sepse ajo që pason zeron gjithçka. Ka gjithmonë një fillim dhe fillimet nuk e njohin humbjen".

Ndërkohë, aktorja, pas mbrojtjes që mori në rrjetet sociale nga Jolanda, vajza e saj me kantautorin Francesco Renga, e falënderoi atë publikisht përmes profilit në Instagram: "E sjellshme dhe guximtare, ylli im".

 Ambra dhe Allegri ishin bashkë që nga viti 2017 dhe deri vonë, gjithçka dukej se po shkonte mirë. Pikërisht për të bashkëjetuar me trajnerin bardhezi, aktorja ishte transferuar nga Brescia në Milano kohët e fundit.