Transmetuar më 16-10-2021, 14:18

Ai bëri historinë e futbollit, duke fituar më shumë trofe nga të gjithë. Në “palmaresin” e brazilianit nuk mungojnë “Copa America”, Liga e Kampionëve, titujt me Juventusin, Seville dhe natyrisht Barcelonën. Tani, në moshën 38-vjeçare, Dani Alves është lojtar i lirë pas përvojës së fundit me fanellën e San Paolos. Ai ka dëshirën për të gjetur një ekip së shpejti.

Po sikur ekipi i ardhshëm të ishte ai, ku u bë më i famshëm dhe i suksesshëm? Dani Alves me të vërtetë i ka dërguar një mesazh Barcelonës, ekip që mes lamtumirës së Messit dhe problemeve të ndryshme financiare, sigurisht që nuk e ka filluar sezonin si duhet, veçanërisht në Ligën e Kampionëve.

Për mikrofonat e “Sport”, Dani Alves u shpreh: "I vetmi vend në botë ku kam një shtëpi është Barcelona. Pra, nëse Barça mendon se ka nevojë për mua, thjesht duhet të më telefonojnë. Pas prishjes së kontratës me Sao Paulo vendosa të bëj një pushim të vogël, padyshim që stërvitem, duke pritur të hapet merkatoja dhe të nënshkruaj me një ekip tjetër".

Dani Alves nuk dëshiron të ndalet së fituari: "Unë jam duke kërkuar një klub që më lejon të konkurroj me emrat e mëdhenj, të luftoj për të fituar tituj, siç kam bërë te Sevilla, Barcelona, ​​Juventus dhe të gjitha skuadrat e tjera ku kam qenë".

Sidoqoftë, Barcelona vështirë se do të përqendrohet te një nga ish-lojtarët e saj më të mëdhenj. Duket se klubi katalanas tashmë i ka thënë ‘jo’ kandidaturës së anësorit brazilian.

Duke pritur për lajme të reja, Dani Alves shton: "Unë kisha praktikisht dy vite pa pushime, sepse e lidha një sezon me një tjetër në Brazil, për shkak të pandemisë dhe kalendarit. Pas ndërprerjes së kontakteve me Sao Paulo, isha i lirë dhe vendosa të bëja disa ditë pushim. Nuk e kam lënë stërvitjen, duke pritur që merkatoja të hapet për të nënshkruar me dikë”.