Transmetuar më 16-10-2021, 22:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën në një takim me disa anëtarë të Parlamentit Evropian se, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë alternativë, ashtu sikurse njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke, ka thënë Kurti duke theksuar se Serbia ka dy alternativa, ose ta njohë Kosovën, ose ta njohë!

Albin Kurti, ka pritur të shtunën në Prishtinë delegacionin e eurodeputetëve në krye me përfaqësuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Në një komunikatë për media, kryeministri Kurti është thënë të ketë diskutuar me palën evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, për procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen që i ka ofruar blloku evropian Kosovës përmes ndarjes së vaksinave kundër koronavirusit.

Temë diskutimi ka qenë edhe operacioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave në disa qytete të Kosovës.

"Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore", është cituar të ketë thënë Kurti.