Transmetuar më 17-10-2021, 07:33

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

Qendrat e votimit hapen në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërsa në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 burra dhe 14 gra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 burra dhe 1,937 gra. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Policët e angazhuar

Laura Pula nga Prokuroria e shtetit në një konferencë për media ka thënë se kanë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë.

“Mision është mbrojtja e votës së qytetarit”, tha ai. Kemi 80 prokurorë kujdestar në 38 komunat e Kosovës. Nëse do të ketë keqpërdorim të votës, prokuroria dhe policia do të ndalojnë dhe arrestojnë qytetarët, por edhe ata që mundësojnë këtë”, ishte shprehur ajo.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se policia ka krijuar urdhër Planin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv.

Ai ka thënë se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 3,552 zyrtarë policorë. Ndërsa, edhe KGJK ka 35 gjyqtarë kujdestar në nivel vendi në ditën e zgjedhjeve.

Lista e votuesve

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban:

– 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

– Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

– Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021, është: 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.

– Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues.

– Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532 ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

– Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës kanë pasur mundësinë të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila ka filluar më 15 shtator, ndërkaq fletëvotimet është dashur të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor 2021.