Transmetuar më 17-10-2021, 14:56

Në funksion të procedimit penal të nisur më parë për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, nisur edhe nga informacionet e marra se personat organizatorë mund të ishin të armatosur dhe rrezikohej jeta e punonjësve të Policisë në operacion, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me RENEA-n, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, organizuan dhe finalizuan operacionoin policor të koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Besmir Sulaj, 35 vjeç, me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i dyshuar si organizator i shpërndarjes së drogave të forta dhe ushtrimit të paligjshëm të lojrave të fatit, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Fation Elezaj, 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, i dyshuar për ushtrim pa licencë të lojërave të fatit, përshtatje të lokalit për përdorim droge dhe prodhim e shitje të narkotikëve.Gjithashtu u proceduan penalisht për moskallëzim krimi, edhe 7 shtetas të tjerë, të cilët u gjetën duke luajtur lojra fati në lokalin e marrë me qera nga shtetasi i shpallur në kërkim Fation Elezaj, i cili e kishte përshtatur lokalin për shpërndarje të drogave të forta dhe ushtrim të paligjshëm të lojrave të fatit.

Gjatë kontrollit në lokal, në qytetin e Kukësit, shërbimet e Policisë sekuestruan një sasi kokaine, sende që shërbenin për përdorimin e lëndës narkotike kokainë, ekstazi, çipsa, letra bixhozi, peshore elektronike, tavolinë pokeri dhe një sasi parash.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar Besmir Sulaj, shërbimet e Policisë gjetën edhe një sasi tjetër kokaine të futur në një qese plastmasi.

Operacioni vijon për kapjen e personit në kërkim, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme