Transmetuar më 17-10-2021, 16:38

Identifikohet nga policia viktima që u gjet i vrarë sot në anë të lumit Shkumbin në Peqin. Pas verifikimeve të kryera nga policia, rezultoi se kufoma i përkiste shtetasit Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali.

Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu më datë 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në I.E.V.P Peqin.