Transmetuar më 17-10-2021, 16:59

Publikohet foto e Alban Semaku-t, anëtar i bandës së Lushnjes që u gjet i vrarë me armë zjarri paraditen e sotme lagjen Çezmë, pranë lumit Shkumbin në Peqin.

Pas verifikimevetë policisë rezultoi se viktima ishte Semaku, emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë pjesë bandës së Aldo Bares në Lushnje. 38-vjeçari ka dalë nga burgu në maj të këtij viti.

Sipas uniformave blu ai është arrestuar disa herë. Fillimisht në vitin 2006 ai është ekstraduar nga Italia, pas një vendimi të gjykatës së Lushnjes, pasi ishte dënuar për vrasje, si pjesë e një grupi kriminal.

Disa vite më vonë, në 2015, Semaku është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjithashtu, në nëntor të 2015 është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja”. Ndërsa në maj të këtij viti Semaku ka lënë qelinë e burgut të Peqinit ku ka vuajtur dënimin.