Transmetuar më 18-10-2021, 09:45

Përcaktimi i një rikthimi është shpesh i ndërlikuar. Mund t’i referohemi karakterit, dëshirës për të fituar me çdo kusht, duke kapërcyer çdo pengesë. Ne gjithashtu mund të diskutojmë shpirtin e një ekipi që nuk dëshiron të dijë për përkuljet, devijimet, ndërlikimet gjatë rrugës së tij.

Milani i Stefano Piolit, megjithatë, për momentin dhe prej ca kohësh është shkëputur nga koncepti i "surprizës", duke u bërë normalitet, zakon, duke u kthyer mbi të gjitha në statusin e tij futbollistik, në krye të Serie A.

Një rrugë që fillon nga larg, pak rastësisht, siç e shpjegoi vetë Pioli pak ditë më parë për “Il Giornale”. Pikërisht, kur u ndal futbolli prej pandemisë, aty nisi rilindja e Milanit. "Në janar 2020 pashë ndryshimin, i cili përkoi me ardhjen e Ibrahimovic dhe Kjaer. Gjatë bllokimit prej pandemisë ne kishim shumë kohë për t’u koordinuar nga distanca".

Nga lidhja në distancë me atë në fushë, hapi nuk ishte i shkurtër, por i udhëhequr nga kuintesenca e futbollit, dëshira për të fituar dhe nga tradita sportive. Me përmbysjen kundër Veronës, Milani i Piolit jo vetëm që u ngjit në krye të renditjes, duke kapërcyer përkohësisht Napolin, por gjithashtu arriti 22 pikë në 8 ndeshje. Një rekord tjetër.

Para ndeshjes në “San Siro”, kuqezinjtë nuk kishin arritur kurrë të grumbullonin 22 pikë nga 24 të mundshme në Serie A, që kur filloi epoka e 3 pikëve një fitore. Milani u ndal vetëm nga Juventusi në “Allianz Stadiumin” më 19 shtator, më pas vetëm ka fituar.

Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme për të përshkruar plotësisht atë që Pioli ka arritur t’iu përcjellë lojtarëve të tij. Siç e pranoi ai vetë, shumë kanë kaluar që nga bllokimi i vitit 2020. Një e treta e humbjeve të Milanit të Stefano Piolit erdhi midis tetorit 2019 dhe 8 marsit 2020, kundër Genoa, para “lockdown”.

Në shifra, kjo përkthehet në 6 humbje nga 18 gjithsej në 22 ndeshjet e para. Nga “lockdown” e tutje, ose në 76 ndeshjet e luajtura deri më sot në Serie A, vetëm 7 humbje. Numra të destinuar për të hyrë në historinë e klubit kuqezi dhe të një ekipi që është rikuperuar, ka befasuar dhe tani është tërësisht konfirmim. Pavarësisht dëmtimeve, mungesave,  golave ​​të pësuar, Milani është kthyer fuqishëm prej një kohe, midis rekordeve dhe shfaqjeve të klasit të parë.