Transmetuar më 18-10-2021, 14:28

Në këtë shkrim po qëmtojmë botën e futbollistit të Liverpool-it, Mohamed Salah, ish i Romës dhe Fiorentinës. Nga familja te pjatat e preferuara dhe obsesioni me palestrën i “Faraonit”.

Salah, nga Italia në Angli

Kur Mohamed Salah jetoi në Romë, në “Casal Palocco”, ai kishte një fushë të ndërtuar në kopsht, ku stërvitej ekstra për të qenë më i saktë në goditjet drejt kuadratit. Ishte, nga ana tjetër, e vetmja gjë që i mungonte. Në Firence tregoi se dështimi te Chelsea kishte qenë një rastësi. Në kryeqytetin italian shpërtheu përfundimisht, te Liverpool u bë fenomen botëror. Ai fitoi Champions-in dhe Premier League, mbi të gjitha shënoi 135 gola në 213 ndeshje.

Me sa duket ajo fushë futbolli në kopsht, në vitin 2016, e ndihmoi atë të mbërrinte deri në majë: "Pothuajse çdo ditë, pas stërvitjes, Spalletti më thirrte veçmas në një fushë ku ishim vetëm ne të dy për t’u praktikuar, praktikuar, praktikuar… Dhe prej andej ndërtova një fushë në oborrin e shtëpisë për të praktikuar përsëri goditjet në portë”. Natyrisht, pas Firences (9 gola në 26 ndeshje) dhe Romës (34 gola në 83 ndeshje) erdhi kalimi në Angli.

Familja e Mohamed Salah

Për Salah, përveç futbollit, ka pak gjëra të tjera. Të gjitha energjitë e tij i kushtohen familjes; gruas Magi dhe vajzave, Makka e Kayan. E diplomuar në Ekonomi dhe Tregti, zonja Salah e njeh Mohamed që në shkollë dhe u martua me të më 2013. Ata jetojnë në një shtëpi, pak jashtë Liverpool-it. Gruaja e egjiptianit është një “dashnore” e madhe e modës dhe serialeve televizive. Për pjesën tjetër, ajo është absolutisht e rezervuar.

Salah dhe vëmendja për fizikun

Siç mund të shihet nga fiziku i tij dhe barku plot muskuj, Salah është një fanatik i palestrës. Atij i pëlqen të vrapojë, stërvitet edhe me pesha. Që kur është te Liverpool (2017), Salah ka shtuar disa kilogramë në masë të muskujve, duke fituar fuqi, por pa humbur kurrë shpejtësinë. Kjo është shenja e tij dalluese. Salah stërvitet pesë ditë në javë nga tri deri në katër orë, i ndarë mes shtëpisë dhe qendrës sportive të Liverpool-it, në mëngjes dhe pasdite. Në stërvitjen e tij ka shumë not.

Namazi midis Ramazanit dhe dietës së shëndetshme

Përveç periudhave të agjërimit të Ramazanit, Salah ka një dietë shumë të ekuilibruar dhe proteinike, me picën si pjatë të preferuar kur dëshiron të shpërblejë pak veten. “Ushqyerja është kaq e rëndësishme, është pjesë e lojës. Korrigjimi i saj, – tha ylli egjiptian për CNN, – ndihmoi shërimin tim, më lejoi të fle më mirë dhe ndihmoi trupin të përshtatet shpejt. Nutricionisti im thotë se, meqë nuk kam yndyrë në trup, mund të ha çfarë të dua, por e di se çfarë të bëj. Përveç kësaj, unë nuk pi, kështu që jam në rregull”.

Salah shton se provoi kuzhinën britanike, duke përfshirë peshk dhe patate të skuqura, si dhe byrekë të ndryshëm tradicionalë. Egjiptiani pranoi se nuk ishte i çmendur për asnjë nga gatimet e ndryshme. Në vend të kësaj, ai preferon pjatën egjiptiane të kusharit, e përbërë nga orizi, makaronat, thjerrëzat, qiqrat, qepën e skuqur dhe salcën e domates.

Po solidaritetit, jo politikës

Pasioni i parë i Salah është solidariteti. Ai e thotë vetë: "Më pëlqejnë shumë gjëra në jetë, por pasioni im absolut është që të ndihmoj të tjerët". Një shembull? Ai ka dhuruar miliona euro për spitalet egjiptiane, veçanërisht për repartet e kancerit. Madje një herë mbrojti një njeri të pastrehë nga disa banditë. Salah, gjithashtu e do shahun, i cili e relakson atë, ndërsa nuk duket i interesuar për politikën, veçanërisht pasi në korrik 2014 ishte në qendër të një çështjeje.

Ai rrezikoi të ndërpriste përkohësisht karrierën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vendin e tij. Për të zgjidhur situatën, ishte i nevojshëm një takim midis ministrit të parë, ministrit të arsimit dhe trajnerit të ekipit kombëtar, të cilët ranë dakord të mbrojnë një trashëgimi të futbollit, që ishte vetëm egjiptian në atë kohë, sot i futbollit botëror.