Transmetuar më 18-10-2021, 14:47

Katër fitore në pesë ndeshjet e fundit të Serie A, me një vend të dytë të merituar edhe falë fitores me përmbysje të së shtunën kundër Veronës. Një demonstrim i rëndësishëm force. Milani vazhdon rrugën e tij dhe e bën këtë në Ligën e Kampionëve, duke kërkuar fitoren e parë, pas dy paraqitjeve të shkëlqyera ndaj Liverpool dhe Atletico Madrid, duke kulmuar, megjithatë, me dy humbje "fatkeqe”.

Në prag të sfidës kundër Portos, trajneri Stefano Pioli foli në konferencë për shtyp. Aty analizoi momentin e ekipit të tij, midis mungesave dhe hipotezave të formacionit: "Ne do të përballemi me një kundërshtar solid dhe të organizuar mirë, me lojtarë sulmues të shpejtë e cilësorë.

Është një ndeshje që i përmban të gjitha vështirësitë e një kompeticioni të tillë të nivelit më të lartë. Çdo ndeshje e vetme kërkon përgatitje të ndryshme. Ne shfrytëzuam pushimin për ta studiuar Porton dhe po përgatisim strategjinë tone, duke shpresuar se do të japë fryte.

Zlatan Ibrahimovic është padyshim më mirë, luajti vetëm 15 minuta të shtunën në mbrëmje: Unë mendoj se koha e aktivizimit mund të rritet tashmë, por nuk besoj se përballon dot shumë minuta. Ai kundër Pepe? Ata janë shumë fizikë dhe me temperament. Zlatan është shumë i rëndësishëm për ne dhe po bëjmë gjithçka për ta pasur në dispozicion.

Bennacer është mirë, gati të luajë nesër. Dy ndeshjet kundër Portos mund të jenë vendimtare për fatin tonë në grup. Krunic që në fillim? Mundet, ai dhe Daniel Maldini po luftojnë për vendin në formacion.

Nga këtu, për të thënë se jemi përsëri të shkëlqyer, nevojiten shumë hapa për t’u hedhur akoma. Nesër kemi një shans tjetër për ta treguar rritjen, që do të përpiqemi ta shfrytëzojmë. Aspektet për t’u përmirësuar? Duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të kthjellët, sepse në dy ndeshjet e para kemi paguar shtrenjtë çdo gabim të vetëm.

E jona është një punë reciproke. Unë përpiqem t’i ndihmoj futbollistët të rriten dhe ata më japin gjithçka. Është normale që t’i mbështes lojtarët e mi. Përditë përpiqemi që të rritemi së bashku".