Transmetuar më 18-10-2021, 15:25

Tomas Soucek zbuloi se i duheshin disa qepje në fytyrë, pasi provoi këpucën e kundërshtarit mbi këtë pjesë të trupit gjatë ndeshjes së West Ham me Everton të dielën. Ndërkohë, me shaka i siguroi fansat se "është ende gjallë".

West Ham u ngjit në vendin e shtatë të Premier League, pasi mposhti Evertonin 1-0 në “Goodison Park”, falë golit me kokë të minutës së 74-të nga Angelo Ogbonna. Disa minuta pasi “Hammers” realizuan golin vendimtar, Soucek duhej të tërhiqej nga fusha për shkak të një dëmtimi të tmerrshëm në fytyrë, që i shqetësoi të gjithë.

Soucek u fut në dyluftim për ta kapur topin përpara Salomon Rondon, por përfundoi me takat e kundërshtarit në fytyrë. Lojtari i Republikës Çeke qëndroi përtokë derisa mori trajtimin e duhur nga stafi mjekësor i West Ham, ndërsa pamjet e drejtpërdrejta tregonin se kishte pësuar një plagë të përgjakshme pak nën sy.

Soucek përdori rrjetet sociale për të përditësuar gjendjen e tij shëndetësore, duke postuar një fotografi të plagëve të marra në fytyrë: "Disa qepje të tjera në fytyrë, për t’i shtuar koleksionit tim, – shkroi ylli i West Ham në Twitter. – Unë kurrë nuk heq dorë për asnjë arsye. Fitoni sërish djem të shkëlqyer dhe vazhdoni punën e mirë. Mos u shqetësoni, unë jam ende gjallë".

Duke përjashtuar çdo komplikim me shërimin e tij, Soucek duhet të jetë i aftë të kthehet në fushë kur West Ham të rifillojë fushatën në “Europa League”, kundër Genk, të enjten mbrëma. Skuadra e David Moyes do të shikojë përpara, teksa e pret një ndeshje vendimtare derbi në Londër, kundër Tottenham, tri ditë më vonë, me vetëm një pikë që i ndan aktualisht të dyja skuadrat në renditjen e Premier League.