Transmetuar më 18-10-2021, 18:33

Anglia do të duhet ta luajë ndeshjen e saj të ardhshme në shtëpi pas dyerve të mbyllura, si ndëshkim nga UEFA për problemet e tifozëve para, gjatë dhe pas finales së “Euro 2020” në “Wembley”. Tifozët anglezë pa bileta u përplasen me policinë dhe hynë me forcë në stadium për finalen e parë të kombëtares së tyre që nga viti 1966, kundër Italisë, në korrik.

Paneli disiplinor i UEFA-s i ka shqiptuar Anglisë ndëshkimin për të luajtur dy ndeshje si pritëse pa tifozë, si dhe një gjobë prej 100.000 euro. Në një deklaratë të Federatës Angleze të Futbollit (FA) me këtë rast lexohet:

“Megjithëse jemi të zhgënjyer me vendimin, ne pranuam këtë masë ndëshkimore të UEFA-s. Ne dënojmë sjelljen e tmerrshme të individëve që shkaktuan skenat e turpshme brenda dhe rreth “Wembley” në finalen e “Euro 2020”, dhe na vjen shumë keq që disa prej tyre arritën të hyjnë në stadium.

Jemi të vendosur që kjo të mos përsëritet kurrë, kështu që kemi porositur një rishikim të pavarur, të udhëhequr nga Baronesha Kejsi, për të raportuar mbi rrethanat e ngjarjeve të ndodhura. Ne vazhdojmë të punojmë me autoritetet përkatëse në mbështetje të përpjekjeve të tyre për të ndërmarrë veprime kundër përgjegjësve dhe për t’i mbajtur ata larg stadiumeve".

Sipas rregullave të UEFA-s, FA është përgjegjëse për sjelljen e tifozëve të Anglisë. Organi drejtues i futbollit në Angli kërkoi të dëgjohej personalisht me panelin disiplinor të UEFA-s gjatë video-konferencës. Kapaciteti për ndeshjen finale të “Euro 2020” ishte zvogëluar nga 90.000 në 60.000 për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Kujtojmë se ndeshjen e radhës në shtëpi, “Tre Luanët” e kanë me Shqipërinë, në nëntor. Megjithatë, kuqezinjtë nuk do të kenë fatin si në transfertën hungareze për të luajtur pa tifozët vendës, sepse dënimi i dhënë nga UEFA ka vlerë për kompeticionet e organizuara nga ajo.

Konkretisht, në ndeshjen e parë të Anglisë në shtëpi për Ligën e Kombeve, ose kualifikueset e “Euro 2024”, ajo do të luajë me stadiumin bosh. Sfida me Shqipërinë është në kuadrin e kualifikueseve të Botërorit të Katarit, që organizohen nga FIFA, ndaj vlejnë dënimet e kësaj të fundit.