Transmetuar më 19-10-2021, 10:25

Antonio Conte mund të kthehet të stërvisë në Premier League. Pas titullit kampion të sezonit të kaluar me Interin dhe lamtumirës së papritur nga zikaltrit, trajneri italian duket gati të nisë një aventurë të re.

Kësaj here në stolin e Manchester United. Sipas “Mirror”, në fakt, trajneri nga Salento është një nga emrat e nxehtë për të zëvendësuar Solskjaer. “Djajtë e Kuq” kanë humbur dy nga tri ndeshjet e tyre të fundit në Premier League dhe janë 5 pikë pas kryesuesve të Chelsea.

Prandaj, tekniku norvegjez është vënë në pikëpyetje. Aventura e tij në “Old Trafford” me të vërtetë mund të jetë afër fundit me një ecuri të tillë. Conte te Manchester United do të takonte Pogba, që e ka stërvitur në kohën e përbashkët te Juve.

Po kështu, ai do të punonte me Cristiano Ronaldon, kundërshtar të ethshëm në dy vitet e tij si trajner i Interit. Trajneri salentin, megjithatë, do të kishte nevojë për mbështetjen ekonomike të klubit në tregun e transferimeve.

Tashmë, në kohën e Juves, dhe kohët e fundit tek Interi, Conte përsëriti se cilat janë ambiciet e tij. Ato duhet të jenë të njëjta me të skuadrës që merr përsipër të trajnojë. Pikërisht për këto arsye, për shembull, ai u largua nga drejtimi i Chelsea, klubi me të cilin fitoi Premier League më 2017.

"Nuk mund të ulesh në një restorant 100 euro me vetëm 10 euro në xhep". Kjo fjali e famshme e shqiptuar nga trajneri italian në vitin 2014 përfshin filozofinë dhe ambiciet e tij. Pikërisht me këto ambicie do të pranonte të merrte përsipër drejtimin e Manchester United, trashëgiminë e Solskjaer.