Transmetuar më 19-10-2021, 12:37

Nga kampion bote më 2018 në lojtar i tepër te Barcelona, i rrethuar me shumë polemika. Kanë kaluar tri vite që kur Samuel Umtiti mori pjesë në ekspeditën triumfuese franceze të “Rusia 2018”, duke u shpallur kampion bote si protagonist. Ai formoi duetin qendror të mbrojtjes së kombëtares së drejtuar nga Deschamps, së bashku me Varane.

Në atë kohë, gjithçka ishte mirë për mbrojtësin transalpin, i cili ishte gjithashtu një shtyllë e Barcelonës. Pastaj gjithçka ndryshoi. Për të krijuar probleme ndikuan dëmtimet e shumta, por edhe gjendja ekonomike e klubit blaugrana.

Në verë, kur pati një përpjekje “spazmatike” për ta ulur faturën e pagës së tij, Barcelona u përpoq edhe ta shiste lojtarin francez, por mori një refuzim të qartë. Nga atje filluan vërshëllimat për Umtiti. Ai po ngroh stolin, sepse këtë sezon i duhet akoma të luajë një minutë të vetme.

Transalpini, megjithatë, nuk ndihet mirë që paguhet vërtet shumë për të bërë asgjë. Ai u tregua i sinqertë në një intervistë për “Mundo Deportivo”. Një gjë e rrallë, duke pasur parasysh se Umtiti vështirë se bisedon me shtypin, gjë që paradoksalisht krijon edhe më shumë probleme për të:

Barcelona defender Umtiti bemused by Arsenal and Neymar transfer rumours

"Meqenëse nuk flas, njerëzit mendojnë se nuk bëj asgjë, se e kaloj gjithë ditën në divan (shtrirë). Në realitet kam punuar shumë, fizikisht ndihem më mirë tani sesa kur mbërrita te Barcelona. Shpresoj të kem mundësi për ta vërtetuar se jam në top-formë”.

Për momentin, edhe pse gjuri nuk është më problem, Koeman nuk duket shumë i prirur për ta aktivizuar francezin. Madje, po mundohet ta bindë atë që të largohet. Sidoqoftë, Umtiti nuk ka ndërmend të largohet në janar: "Unë nuk kam në plan të largohem nga skuadra, dua ta përfundoj kontratën te Barcelona”.

Kjo nënkupton peshë të rëndë për financat blaugrana, sepse francezi duhet të paguhet 12 milionë në sezon deri në vitin 2023. Shuma marramendëse për një lojtar jashtë projektit, që ngroh stolin. Pikërisht nga ky aspekt kritikohet vazhdimisht: "Vërshëllimat në Gamper më lënduan. Unë e dua Barçën, por duket se kjo nuk ka dobi. U ndjeva vetëm, falë Zotit jam një person i fortë".

Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme për ta rifituar pozicionin e titullarit në qendër të mbrojtjes katalanase: "Unë e di se jemi gjashtë qendrorë në skuadër. E di se është e vështirë për mua të gjej një vend, por jam kokëfortë. Dua ta ndihmoj ekipin dhe shpresoj të kem një mundësi për të treguar se jam mirë”.