Transmetuar më 19-10-2021, 15:37

Një incident i rëndë ndodhi sot në Prishtinë, më saktë në futbollin kosovar. Presidenti i FFK, Agim Ademi, u dhunua fizikisht gjatë paradites, kur po vraponte në parkun e Gërmisë. Policia kosovare e konfirmoi faktin dhe saktësoi se kreu i futbollit të shtetit më të ri të Ballkanit pësoi lëndime fizike nga agresori dhe përfundoi në spital për ndihmë mjekësore.

Më në fund, ka reaguar edhe vetë Ademi, i cili sqaron atë që i ndodhi përmes një deklarate për shtyp: “Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua t’ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar.

Është e vërtetë që sot rreth orës 08:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë. Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.

Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.

Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së. Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!”