Transmetuar më 19-10-2021, 16:50

Komisioni Evropian ka publikuar Progres-raportin për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të rajonit.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për të hyrë në BE.

"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, mos hapja e negociatave na dëmton.

Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në reformën në gjyqësor dhe luftën kundër krimit. Janë arritur rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Maqedonia ka bërë progres në reformat e vendosura nga BE, ka qenë e vendosur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit,kjo luftë duhet të vijojë", tha Varhelyi.

Raporti thekson Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore teksa ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore, theksohet në Raportin e Progresit.

Një prej arritjeve kryesore në gjyqësor konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarëve në mënyrë që të mbajë mbledhje.

Sa i përket vetting-ut, raporti thekson se 62 për qind e rasteve që u janë nënshtruar vetting-ut kanë rezultuar ose në shkarkim apo largim nga puna.

Strukturat e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti.

“Shqipëria ka tashmë një nivel përgatitje dhe ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët e prokurorët e larguar nga procesi i vettingut. Por numri i çështjeve për korrupsion që të përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar, ndërsa vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit” , theksohet në raport.

Përparim në luftën kundër korrupsionit

KE-ja thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim.

Shqetësim problemet me lirinë e medias

Megjithatë, kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport.

Azilantet nga Shqipëria

KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.